Edhe një shqiptar i dyshuar për vrasjen e policit Zymberi
Prishtinë, 7 shtator - Një shqiptar nga jugu i Mitrovicës është në mesin e tetë personave të cilët deri më tani janë identifikuar si të përfshirë në vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi.
Emri i shqiptarit është në listën e të dyshuarve e i cili është konfirmuar nga njëri nga dy kryesuesit e hetimeve të ngjarjeve të fundit në veri, kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqri Syla.
Syla ka njoftuar se shqiptari i përfshirë në listën e zezë, dyshohet se ka ndihmuar vrasësit e policit dhe ndoshta ai është personi i cili ka tentuar të shkatërronte provat materiale, të cilat ishin përdorur gjatë kryerjes së vrasjes.
Përveç gjashtë të dyshuarve për vrasje të cilët janë banorë të Zubin-Potokut e rrethinës së këtij qyteti, prokuroria ka në listë si të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe njëri shqiptar, të cilët dyshohen për veprën penale të dhënies së ndihmës të autorëve të vrasjes së policit, ka theksuar Syla.
Sipas Sylës shqiptari i cili në jug të Mitrovicës ka një dyqan për shitjen e pjesëve të automjeteve dhe serbi nga veriu, janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve.