Edhe dy muaj paraburgimi për Oliver Ivanovicin

Prishtinë, 27 qershor - Sot, gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) dhe e ka zgjatur paraburgimin kundër Oliver Ivanovicit për periudhën nga 27 qershori deri më 26 gusht 2014.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se ende ekziston rreziku i ikjes dhe i ndikimit në dëshmitarë nëse i pandehuri lirohet, dhe se në këtë kohë nuk ekziston ndonjë masë tjetër më pak e rëndë e cila do të mund të zbatohej.
Masa e paraburgimit fillimisht ishte urdhëruar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë pas arrestimit të Ivanovicit më 27 janar 2014. Ai dyshohet për krime lufte dhe nxitje për vrasje të rëndë.