E shfrytëzon vajzën e mitur për prostitucion
Prishtinë, 20 qershor - Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka arrestuar pesë persona të cilët dyshohet se janë marrë me trafikim të qenieve njerëzore.
Në rastin e parë, thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore - Sektori Qendror i Hetimeve, me të marrë informatën nga Stacioni Policor Lipjan, për një person të zhdukur të gjinisë femërore të moshës 16 vjeçare, e cila dyshohej se mund të jetë viktimë e trafikimit, menjëherë ka filluar hetimin e rastit dhe me datë 14 qershor viktima është gjetur dhe intervistuar.
Policia raporton se nga hetimet lind dyshimi se viktima gjatë një periudhe kohore, është mbajtur nën kontroll nga ana e një të dyshuarit mashkull shqiptar.
\"Ai me anë të mashtrimit, duke e shfrytëzuar edhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe rrethanat familjare të viktimës, dyshohet se e ka shtyrë atë drejt shfrytëzimit seksual\", thuhet në një komunikatë të Policisë.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Një ditë më herët, për të njëjtin rast është arrestuar edhe personi i dytë, nën dyshimin e konsumimit të veprës penale: shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit. I dyshuari H.H. mashkull-shqiptar-kosovar, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në rastin e dytë, policia raporton se pas një pune operative hetimore në terren, me datë 19 qershor në Pejë, është realizuar urdhëresa e lëshuar nga gjykata kompetente, për kontroll të një lokali ku dyshohej se kryhej veprimtari e dyshuar kriminale.
\"Aty janë arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprat penale: Mundësim ose Detyrim ne Prostitucion dhe Ofrimi i Lokaleve për Prostitucion\", njofton Policia.
Dy të dyshuarit e arrestuar në një lokal nate janë: I.H. mashkull-kosovar-shqiptar, lindur më 1963 dhe SH.M. mashkull-kosovar-shqiptar, lindur më 1987.
\"Me vendim të Prokurorit të dyshuarit, dërgohen në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara E.G. femër-kosovare-shqiptare, e lindur më 1993 është dërguar në Gjykatën Themelore Divizioni për Kundërvajtje-Pejë në procedurë të shkurt\", njofton Policia.
Ndërkaq, me vendim të Inspektoratit Komunal, lokali ku dyshohej se ushtrohej veprimtaria e ndaluar është mbyllur.