16 Janar 2025

E drejta pronësore, shtyllë e sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 10 dhjetor - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID me rastin e lansimit të fushatës kombëtare për të përkrahur të drejtat pronësore të grave në Kosovë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi theksoi se e drejta pronësore është shtyllë e sundimit të ligjit dhe faktor i rëndësishëm për zhvillim ekonomik të një vendi,  rregullimi i së cilës është çështje e ndjeshme që prek secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Ai tha se promovimi i barazisë në trashëgimi si e drejtë themelore e njeriut është vetëm fillimi për ta ndryshuar qasjen patriarkale në trashëgimi.

“Duke e njohur mirë mentalitetin e shoqërisë sonë, ka ardhur koha që ta ri-formatizojmë debatin lidhur me rëndësinë e barazisë në trashëgimi. Është detyrë e jona t’ua shpjegojmë familjarëve, qytetarëve të këtij vendi, se çfarë të mira sjellë zbatimi i barabartë i së drejtës trashëgimore. Duhet të ua themi që rritja e numrit të grave që trashëgojnë nuk ka të bëjë vetëm me rëndësinë e barazisë në trashëgimi si e drejtë themelore por që rritja e numrit të grave që trashëgojnë kontribuon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre familjare dhe në zhvillimin e mirëfilltë ekonomik. Sa më e lartë përfshirja e gruas në jetën e ekonomike, aq më i qëndrueshëm do të jetë modeli i zhvillimit tonë ekonomik” tha Ministri Kuçi.

Duke folur për rolin dhe rëndësinë e gruas në familje, Ministri Kuci tha se ka ardhur koha që t’i fuqizojmë ato për të mirën e mirëqenies sonë marrë parasysh faktin se drejta e barabartë për të trashëguar fuqizon familjet tona.

“Personalisht jam i përkushtuar, si Ministër i Drejtësisë por dhe si babë i tri vajzave, që ligjërisht të inkurajojmë ndarjen e barabartë të trashëgimisë së prindërve tek të gjithë fëmijët e tyre, pa dallime gjinore” tha Kuçi.

Ministri Kuçi theksoi se janë të përkushtuar në hartimin e politikave që do të ngushtojnë mundësitë për keqpërdorim të institutit së heqjes dore, në të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim.

“Do të përkushtohem maksimalisht që gjatë këtij mandati, qytetarët e Republikës së Kosovës të gëzojnë një kornizë ligjore, implementimi i së cilës do ta mbrojë pronën e tyre dhe interesat e tyre. Me reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe rendit gjatë këtij mandati, kemi hyrë në një fazë të re. Po punojmë më shumë në fushën civile dhe në kthimin e besimit në drejtësi” tha Kuçi.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi ka falënderuar USAID-in dhe partnerët implementues që vazhdojnë të bëjnë punë të shkëlqyeshme në drejtim të përmirësimit të sundimit të ligjit në Kosovë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)