E drejta për kthim dhe pronë, e drejtë e patjetërsueshme!
Prishtinë, 22 qershor - Qeveria e Serbisë , së bashku me kishën ortodokse të saj, me peshkopin Teodosije, shefin e Zyres së Serbisë në Kosovë, Marko Gjuriq, me ministrat e Serbisë në kabinetin e Isa Mustafës, Lubomir Mariq dhe Dalibor Jeftiq sikur edhe zëvendësministrin e Kosovës Branimir Stojanoviq kohë më parë , pa lejen e autoriteteve kosovare dhe duket me pëlqimin e ndërkombëtarëve e vendosën gurin themeltar për ndërtimin e 300 shtëpive në Luginën e Diellit ku , sipas njoftimeve nga Marko Gjuriq do të kthehen së paku 1500 serbë. Është planifikuar gjithashtu ndërtimi i shtëpive vetëm për serbë në fsh.
Mushtisht, komuna e Therandës dhe pastaj do të vazhdohet ndërtimi i shtëpive të tjera.
KMDLNj ka reaguar menjëherë kundër këtij veprimi të Qeverisë së Serbisë e cila në Kosovë po e përdorë modelin izraelit të ndërtimit të lagjeve në tokat e okupuara të Palestinës të quajtur kibucë që ka për qëllim kolonizimin e atyre vendbanimeve sikur që edhe Serbia ka për qëllim kolonizimin e veriut të Kosovës! Ky është një veprim kriminal i Serbisë e cila i injoron autoritetet kosovare duke mos kërkuar as leje e as pëlqim urbanistik për ndërtimin e një lagjeje kurse në çdo vend normal nuk mund të ndërtohet një bodrum apo shtëpi për banim pa leje ndërtimi dhe plan të detajuar. Serbia është duke e ndërtuar infrastrukturën rrugore dhe tjetër për këtë lagje me ndihmën e vullnetarëve serbë kurse institucionet kosovare nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim praktik për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje.
Treshi shovinist i Serbisë ( ministrat Mariq dhe Jeftiq si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Stojanoviq) ishin dhe janë pjesë aktive e çdo veprimi të Serbisë kundër Kosovës. Ndërtimi i kësaj lagjeje të pastër etnike po arsyetohet nga ministri Jeftiq me të drejtën e serbëve të shpërngulur për kthim në pronat e tyre duke mos treguar fare se kush do të kthehet në atë lagje dhe duke i diskriminuar haptas të shpërngulurit shqiptarë të cilë nuk iu lejohet kthimi në pronat e tyre në pjesën e ndarë dhunshëm të Mitrovicës nga janë dëbuar me dhunë në shkurt të vitit 2000 (afërsisht 14000) nga forcat paramilitare të Serbisë, Rojat e Urës dhe ushtarë të KFOR- it francez. Pengesë për kthimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë Serbia me strukturat paralele (policia, ushtria, paramilitarët), ndërkombëtarët që heshtin duke bërë diskriminime flagrante në baza etnike dhe institucionet e Kosovës për mosveprimin e tyre.
E drejta për kthim në pronat e tyre për persona të zhvendosur është e drejtë e pamohueshme dhe ajo e drejtë nuk mund të kushtëzohet me asgjë. E drejta për kthim nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive dhe kriteri etnik nuk mund të jetë përcaktues për realizimin e kësaj të drejteje ndërkaq kështu po veprohet në veri të Kosovës dhe këte diskriminim flagrant po përpiqet ta arsyetojë ministri shovinist, Dalibor Jeftiq.
KMDLNj kërkon nga institucionet e Kosovës të ndërmarrë veprime të menjëhershme kundër kolonizimit të Kosovës nga Serbia siç po veprohet në Zveqan dhe të ndërmarrë veprime ligjore kundër shkelësve të ligjit sikur edhe ti shkarkojë ministrat shovenist Mariq dhe Jeftiq sikur edhe zv.kryeministrin e Kosovës Stojanoviq që kanë dal hapur kundër Kosovës dhe janë vënë në shërbim të Serbisë , skajshmërisht e armiqësuar ndaj Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime për heqjen e barrikadës në urën mbi lumin Ibër sikur të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësja e Ekipit Negociator të Kosovës , Edita Tahiri e cila po e manipulon dhe dezinformon opinionin në Kosovë përkitazi me heqjen e barrikadës mbi lunim Ibër si edhe ndërtimin e lagjes njëetnike serbe nga ana e Serbisë të quajtur Lugina e Diellit.
Institucionet e Kosovës duhet të marrin veprime të shpejta dhe të domosdoshme për krijimin e kushteve për kthim të gjithë personave të zhvendosur pëvarësisht përkatësisë etnike, bindjeve politike, statusit social, bindjeve fetare apo përkatësisë tjetër e jo të lejojë kolonizimin e një pjese të territorit që ende nuk e kontrollon. Institucionet e Kosovës duhet ta zbatojnë ligjin për të gjithë e jo të lejojnë ndërhyrjen e një shteti armiqësor apo të bëjë diskriminime në baza etnike.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës do të marrë përgjegjësinë për përshkallëzimin e situatës sikur edhe përgjegjësinë për lejimin e kolonizimit të një pjese të territorit të saj.
Qeveria e Kosovës duhet të dalë me një raport që do të tregojë sa mjete janë ndarë për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive, objekteve fetare dhe kulturore të serbëve në Kosovë, që nga viti 1999 e deri në vitin 2016.
Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, eskalimin i situatës në Kosovë është i pashmangshëm, si përkah intensiteti ashtu edhe për pasojat. Mbrojtja e integritetit territorial dhe shtrirja e sovranitetit janë detyrime ligjore dhe kushtetuese të institucioneve të Kosovës dhe mosveprimi në këtë drejtim e vë në rrezik ekzistencën e Kosovës, sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe për pasojë do ta ketë ndarjen e Kosovës.