Dy vjet e 6 muaj burg për vrasje të rëndë në tentativë
Ferizaj, 13 korrik - Gjykata Themelore në Ferizaj, sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.P, i cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Konform nenit 80 paragrafi 1 të KPRK-së i pandehuri është gjykuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet e gjashtë muaj.
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale Vrasja e rëndë në tentativë ne tejkalim të mbrojtjes së nevojshme nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 12 për të cilën është gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet e katër (4) muaj, ndërsa veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, të pandehurin G.P e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër muaj.
I pandehuri G.P, akuzohet se më 6 korrik 2013, në Prizren, me dashje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarit E.K dhe H.A si dhe ka rrezikuar jetën e personave të tjerë, pas një rrahje që kishte ndodhur një natë më parë mes E.K me shokët e të pandehurit dhe I.P e Xh.D në të cilën rrahje ishte përfshirë edhe i pandehuri G.P.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditë nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.