Dy të plagosur në lagjen "Dardania"
Prishtinë, 17 janar - Policia e Kosovës njoftoi se të hënën janë plagosur dy persona në lagjen Dardania në Prishtinë, gjegjësisht prapa banesave te Santea. Plagosja ka ndodhur pas një zënke ndërmjet dy grupeve, ndërsa njëri nga të plagosurit është kalimtar rasti.
Bëhet e ditur se zënka ndërmjet dy grupeve ka filluar në një lokal, ndërsa ka vazhduar edhe jashtë ku njëri nga të përfshirët në këtë rast ka nxjerrë armën dhe gjuajtur në drejtim të palës tjetër, me çrast ka plagosur dy persona, njëri prej të cilëve kalimtar rasti.
Dy të plagosurit janë në spital për trajtim mjekësor, ndërkohë Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e hetuar rastin.