Dy prokurorë për krime të luftës
Prishtinë, 2 shkurt - Dy prokurorë janë caktuar që nga janari i këtij viti në Departamentin për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të hetuar krimet e luftës, edhe pse ishte paraparë që të rekrutoheshin tre prokurorë.
Reshat Millaku, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale ka thënë për Tribuna Channel përmes postës elektronike se dy prokurorët e caktuar do të punojnë në lëndët që kanë qenë në punë para janarit të këtij viti por edhe me të gjitha lëndët e reja u janë dhënë në punë.
Millaku nuk ka dashur që ti bëjë publik emrat e prokurorëve.
Procesi i përzgjedhjes është zvarritur që nga viti i kaluar me arsyetimin se prokurorët nuk kanë shprehur dëshirën për tu marrë me krimet e luftës, ndonëse është përmendur edhe numri i vogël i prokurorëve.
Por ndryshe thuhet në Raportin e deputeti spanjoll, Augustin Conde që paraqiti në Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës më 28 janar.
Në këtë raport përmendet se në vitin 2014, grupi i gjyqtarëve të EULEX-it publikoi një letër të hapur ku shprehu pikëpamjen se gjyqtarët e Kosovës nuk do të jenë në gjendje për ti trajtuar në mënyrë efektive rastet e nivelit të lartë dhe rastet e ndjeshme të krimeve të luftës.
Një nga arsyet e supozuara ishte se ata mund të ndikohen nga disa politikanë të nivelit të lartë, të cilët mbështesin publikisht ish- bashkëluftëtarët e akuzuar për krime lufte, duke shprehur solidaritetin me ta, thuhet më tej në raport.
Rastet e krimeve të luftës që deri më tani janë trajtuar kryesisht nga prokurorë ndërkombëtarë të misionit EULEX. Por në dhjetorin e vitit të kaluar 30 raste janë transferuar nga EULEX te prokurorët vendorë.