Dy persona në paraburgim për rastin e të shtënave në Dobrosin
Prishtinë, 14 shkurt - EULEX ka bërë të ditur se një gjyqtar i procedurës paraprake i EULEX-i në Gjykatën Themelore në Gjilan ka urdhëruar paraburgimin e dy personave në kohëzgjatje prej një muaji.
Të dyshuarit, të cilët ishin arrestuar dje gjatë një operacioni të përbashkët të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës njësia ROSU, janë nën hetime dhe akuzohen për terrorizëm dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Njëri prej personave pretendohet se është pjesëtar i një organizate terroriste e cila e kishte marrë përgjegjësinë për tri sulme kundër policisë serbe në Dobrosin, afër Portës 5 Dheu i Bardhë, në maj, qershor dhe tetor 2012.
Rasti është duke u hetuar nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSK).