Dy persona dënohen me dhjetë vjet burgim
Prishtinë, 22 gusht - Sot, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve vendas në Gjykatën Themelore në Prizren, e ka shpallur aktgjykimin për rastin e kontrabandës me imigrantë me të cilin dy nga tre të pandehurit u dënuan me dhjetë vjet burgim.
Gjykata e shpalli fajtor shtetasin turk Okay Altuntas për njërën pikë të aktakuzës për kontrabandë me imigrantë dhe e dënoi atë me shtatë vjet burgim. Altuntas u lirua nga akuzat për krim të organizuar, pastrim të parave, si dhe nga një pikë shtesë për kontrabandë me imigrantë.
Bujar Fazliu u shpall fajtor për njërën pikë të aktakuzës për kontrabandë me imigrantë dhe u dënua me tre vjet burgim. Fazliu u lirua nga akuzat për krim të organizuar, pastrim të parave, dhe nga akuza e dytë për kontrabandë me imigrantë.
I pandehuri i tretë në këtë rast, Florent Ademaj, u lirua nga të gjitha akuzat.
Rasti ishte ndjekur penalisht nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).
Pas shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prizren, ku dy persona u dënuan me dhjetë vjet burgim për kontrabandë me emigrantë, Alister Cumming, prokurori i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili e ka ndjekur penalisht këtë rast, tha:
Megjithëse ne jemi të zhgënjyer me disa aspekte të caktuara të vendimit të trupit gjykues, ne e mirëpresim dënimin e dy nga të pandehurit lidhur me akuzat për kontrabandë me emigrantë."
"Mirëpo, ky rast ende nuk ka përfunduar. Njëri i pandehur pritet të gjykohet në tetor, kurse një numër tjetër i të pandehurve aktualisht ndodhen në paraburgim. Ne do ta analizojmë me kujdes vendimin e trupit gjykues dhe do të vendosim nëse do të parashtrojmë ankesë. Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it kanë punuar bashkë dhe shumë në këtë rast në bashkëpunim me organizata tjera policore nëpër Evropë.