Dy muaj paraburgim për Ivanoviqin
Prishtinë, 26 gusht - Oliver Ivanoviq do të jetë në paraburgim deri më 26 tetor, pra edhe dy muaj, derisa i është dhënë afat 30 ditë që të shpreh vërejtjet apo kërkesat.
Kështu në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në veri të këtij qyteti, ka përfunduar seanca e parë kundër liderit të iniciativës qytetare SDP, Oliver Ivanoviq dhe të tjerëve.
Prokurori i Gjykatës Speciale të Kosovës Romeo Mateus, ka lexuar aktakuzën kundër të pandehurve, ndërsa ka dhënë afat prej 30 ditësh, që të pandehurit të shprehin vërejtjet e tyre, kërkesat dhe të ngjashme.
Të akuzuarit Oliver Ivanoviq, Dragolub Delibashiq, Ilia Vujaçiq, Nebojsha Vujaqiq dhe Aleksander llazoviq, të cilët akuzohen për krime të rënda kundër popullatës civile, gjatë vitit 1999-2000 në Mitrovicë, janë shprehur të pafajshëm në deklarimet e tyre.
Në mesin e shumë familjarëve, përfaqësuesve të partive politike, ka qenë prezent edhe drejtori i zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq. Ai para gazetarëve ka thënë se shteti i Serbisë qëndron prapa këtyre njerëzve, duke shpresuar se ata shumë shpejtë me fakte, do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre.
Ndërsa zëdhënësja e EULEX-it Dragana Jabllanovic Solomon ka konfirmuar për KosovaPress së Oliver Ivanoviqit i është shtyrë paraburgimi deri më 26 tetor 2014.