Dy aksidente me fatalitet brenda 24 orëve
Prishtinë, 14 qershor -Policia e Kosovës njofton se brenda 24 orëve janë shënuar dy aksidente me fatalitet, 17 aksidente me të lënduar dhe 38 pa të lënduar.
Në fshatin Duhël në autostradën Vërmicë-Prishtinë raportohet për një aksident trafiku në mes të një veture dhe një automjeti (kamion). Policia njfton se përveç dëmeve materiale lëndime vdekjeprurëse ka pësuar viktima femër shtetase e Suedisë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit meshkuj, njëri shqiptar dhe tjetri shtetas i Sllovenisë janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar, njofton policia.
Ndërsa në një rast tjetër në rr. Dëshmorët e Kombit në Mitrovicë raportohet se i dyshuari mashkull shqiptar duke drejtuar automjetin e tij nga pakujdesia ka humbur kontrollin duke përfunduar jashtë rrugës.
Si pasojë lëndime vdekjeprurëse ka pësuar vetë drejtuesi, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor ndërsa lëndime trupore kanë pësuar dy pasagjerë ku njëri prej tyre është dërguar në QKUK për trajtim të nevojshëm mjekësor, njfton policia.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.