Dugolli dhe Hoxha, përfunduan Kursin e Mbrojtjes dhe Sigurisë
Prishtinë, 20 dhjetor - Oficerët e Lartë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, nënkolonel Enver Dugolli dhe nënkolonel Hasan Hoxha kanë kryer me sukses kursin e Lartë të Mbrojtjes dhe Sigurisë (KLSM), në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjeve të Ushtrisë Shqiptare, në Tiranë.
Shkollimi dhe ngritja profesionale e kuadrove të FSK-së, është pjesë e Memorandumit Bilateral të nënshkruar në mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kursi i Lartë për Siguri dhe Mbrojtje është vazhdimësi e Kolegjit të Mbrojtjes i cili ka filluar punën për herë të parë, në vitin 1995, në bazë të Vendimit të Këshillit të Mbrojtjes. Që nga viti 1995 deri në 2004, janë zhvilluar 4 kurse të larta.
Në vitin 2007, Kolegji i Mbrojtjes kthehet në Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen (KLSM), me pjesëmarrje të gjerë të ushtarakëve vendës dhe rajonit. Kursi zhvillohet në gjuhën angleze dhe zgjatë 13 javë.
KLSM është kursi më i lartë institucional në hierarkinë e arsimimit të Forcave të Armatosura i cili trajnon ushtarakë me gradën kolonel ose civilë ekuivalentë me këtë gradë, nga institucionet e Sigurisë dhe Mbrojtjes jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga rajoni. Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, oficerët e FSK-së, nënkolonelët Dugolli dhe Hoxha e filluan më 10 shtator 2012 dhe e përfunduan më 10 dhjetor 2012.
Në këtë kurs të Sigurisë, morën pjesë 17 pjesëmarrës, nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe personel civilë të Ministrisë së Brendshme (Policisë dhe Gardës së Republikës), Ministrisë së Drejtësisë, ATSH, etj.
Kursi i Katërt i Sigurisë dhe Mbrojtjes u realizua edhe me ndihmesën dhe asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, nga Instituti për Studimet në Fushën e Mbrojtjes (CASD), Romë; Qendra Marshall në Gjermani; Instituti i Studimeve Globale, Romë, si dhe institucione ndërkombëtare të vendosura në Shqipëri.
Leksione kanë mbajtur profesorë vendas dhe të huaj, nga Qendra Marshall, Instituti i Studimeve Globale, Romë, Akademia e Drejtimit Hamburg, nga Kosova, Ministri Agim Çeku si dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri.
Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes është në procesin e akreditimit nga Komanda e Aleancës për Transformim në Norfolk të SHBA-ve dhe statusi aktual i tij, është NATO LISTED.
Nënkolonelët e FSK-së, Enver Dugolli dhe Hasan Hoxha u dalluan për përformancën dhe profesionalizimin e treguar gjatë shkollimit, në Komandën e Doktrinës dhe Sigurisë në Tiranë.
Për rezultatet e arritura në kursin e Lartë, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Arben Imami, oficerëve të FSK-së, nënkolonel Dugollit dhe Hoxhës u dha Diploma.