Drews vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Prishtinë, 1 mars - Komandanti i KFOR-it gjeneralmajor, Erhard Drews, qëndroi në një vizitë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi me këtë rast e njoftoi delegacionin me aktivitetet dhe trajnimet që po zhvillohen në Akademi.
Ai, njoftoi edhe për ndryshimet që po bëhen me miratimin e ligjit të ri të akademisë, si dhe me projektet të rëndësishme, veçanërisht për projektin e binjakëzimit, që ka të bëjë me përmirësimin e arsimit në sektorin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Vizita juaj ka një rëndësi të veçantë për Akademinë, kjo dëshmon edhe një herë bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Akademisë dhe KFOR-it në ngritjen e sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës, tha Smakiqi.
Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Erhard Drews, theksoi para kadetëve të rinj në Akademi se profesioni i policit nuk është i lehtë dhe se policia duhet të kryej punën në mënyrë profesionale.
Suksesi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës mbështetet në dy shtylla kryesore, e para është profesionalizmi, në mënyrë që ju të kryeni detyrat e juaja që ju takojnë si zyrtarë të policisë dhe shtylla e dytë është besimi i juaj që duhet të krijoni tek qytetarët tuaj, qofshin ata të pjesës veriore apo jugore dhe kjo mund të arrihet vetëm me angazhim, tha komandanti i KFOR-it.
Të dyja palët u pajtuan se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu u vlerësua se trajnimi i Policisë së Kosovës është duke u bërë me standarde evropiane.