Drews: Të gjendet zgjidhje për veriun

Prishtinë, 12 mars - Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, mendon se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje politike për veriun e Kosovës. Kjo marrëveshje, sipas tij, duhet të jetë e pranueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë atje.
Në veri nuk kanë probleme negociatorët, por njerëzit që jetojnë atje. Pyetja është nëse njerëzve që jetojnë atje mund t`u imponohet ndonjë vendim apo marrëveshje, në qoftë se ata këtë nuk e tolerojnë, tha Drews për Vesti.
Ai gjithashtu ka thënë se minoriteti serb i Kosovës jeton në një lloj konflikti të ngrirë që vështirë ta përballojnë këtë gjendje, në qoftë se mungon mbështetja financiare nga Beogradi.
I pyetur se çfarë do të bënte ai, sikur të ishte në pozitën e serbëve të veriut, në qoftë se Beogradi refuzon financimin e tyre, komandanti i KFOR-it tha se në një situatë të tillë do të kishte frikë për të ardhmen e tij.
Ndërsa, lidhur me barrikadat në veri, Drews thotë se KFOR-i nuk është kundër serbëve, por kundër barrikadave.
Nuk është me rëndësi kush i ngre barrikadat, ato rrezikojnë lirinë e lëvizjes, kurse siguria është thelbi i misionit tonë. Prandaj, misioni kundërshton barrikadat, ndërsa populli serb që grumbullohet tek barrikadat në opinion krijon përshtypjen e se veprimi i KFOR-it kundër tij. Nuk mund të parandaloj asnjë të mendojë ashtu, por unë ju kujtoj se në çdo dokument, që përshkruan detyrat e misionit, përsëritet se KFOR-i është i paanshëm, nënvizoi gjenerali gjerman.
Atë dokument unë jam i detyruar ta respektojë, dhe një prej rregullave të tij thotë se Kosova është një zonë doganore dhe është në dorën e EULEX it për ta vendosur atë. Nëse EULEX-i vendos për të shkuar në pikë kalimet kufitare, detyra ime është për t`i mbrojtur ata dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Rezolutën 1244, tha Drews, duke përkujtuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit mbështetet në këtë dokument.
Komandanti i KFOR-it, i cili kishte shërbyer më parë në Bosnje dhe Hercegovinë, ka thënë se situata atje është shumë më e komplikuar sesa në Kosovë. Konflikti i Kosovës është i dukshëm në sipërfaqe dhe mund të çojë në zgjidhje. Në Bosnjë, unë nuk shoh një zgjidhje të përhershme, që do t`u përshtatej të gjithëve. Sa vjet kanë kaluar, që kur kam qenë atje dhe gjërat vetëm pak kanë ndryshuar për të mirë, tha ai.