Drews: Shumë serbë s`janë të kënaqur me barrikadat
Prishtinë, 29 dhjetor - Në një intervistë për Novosti komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka deklaruar se situata në Kosovë përveç në veri është e mirë, ndërsa ka qartësuar se veprimet e KFOR-it nuk janë ndërmarrë për shkak të presionit të Prishtinës.
Ai ka thënë se shpreson që rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të implementohen sa më shpejtë, në mënyrë që njerëzve në terren t`u mundësohet jetë më e mirë.
Sinqerisht, vendimet për bllokimin e rrugëve për mua janë të papranueshme. E di se shumë serbë nga veriu nuk janë të kënaqur për shkak të këtyre barrikadave dhe ajo që duan është që të vazhdojnë të bëjnë jetë normale."
"Prandaj, do të pyetesha për legjitimitetin e atyre barrikadave. Ndalimi i EULEX-it, misionit evropian për sundimin e ligjit, për KFOR-in është i papranueshëm. Lëvizja e lirë është qëllimi i misionit tonë dhe ne nuk do të pranojmë asnjë rezultat tjetër, ka theksuar Drews.
I pyetur nëse ka qenë nën presionin e qarqeve politike të Prishtinës që të largojë barrikadat në veri, gjenerali gjerman është përgjigjur shkurt: Jo.
Komandanti i KFOR-it është pyetur nëse i konsideron serbët si armiq, pasi në një deklarate, sipas gazetës, ka thënë sy më sy me armikun duke iu referuar serbëve, ndërsa ai ka sqaruar:
Nëse dikush hedh granatë dore mbi ushtarët e mi derisa ata po e bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, kjo është e jashtëzakonshme. Nuk ka rëndësi nëse është serb ose shqiptar, por nëse i lëndon ushtarët e mi, nuk do ta ketë simpatinë time. Serbët në Kosovë nuk janë armiqtë tanë dhe ata këtë e dinë shumë mirë.
Drews ka thënë se KFOR-i nuk ka ndonjë pozicion sa i përket çështjes se serbët e veriut pohojnë se i takojnë shtetit të Serbisë e jo shtetit të Kosovës, por ka thënë se ata duhet të lëvizin dhe të shohin vendbanimet tjera me serbë në Kosovë, ku raportet ndëretnike janë shumë të mira.
Kosova është shtëpia e shumë komuniteteve, ndërsa serbët janë pjesë e saj, ka deklaruar komandanti i KFOR-it, ndërsa ka thënë se nuk ka arsye për shtimin e numrit të ushtarëve.