Drews: KFOR ka qenë tolerant me serbët e veriut
Prishtinë, 7 qershor - Gjenerali Erhard Drews ka pranuar për herë të parë se misioni i KFOR-it është treguar shumë tolerant me serbët e veriut, pavarësisht se këta të fundit kanë ushtruar dhunë.
KFOR-i ka qenë mjaft tolerant me serbët në veri. Ata që kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it kanë qenë terroristë dhe kriminelë, ka deklaruar Drews gjatë një vizite në Gjakovë.
Kreu i misionit të NATO-s ka shtuar se nuk pret një përkeqësim të situatës në veri, por ka theksuar nevojën e një veprimi politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Të paktën dy ushtarë gjermanë të KFOR-it u plagosën gjatë përpjekjeve për të liruar rrugën që lidh Mitrovicën me pikën kufitare numëri 1 në Jarinjë.
Gjithçka ndodhi kur një aksion i forcave paqeruajtëse nisi mëngjesin e së premtes në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, për të mundësuar lirinë e lëvizjes edhe në këto anë.
Burimet zyrtare shpjeguan se një kontigjent i KFOR-it gjerman po vinte nga Leposaviçi me synim largimin e barrikadës në fshatin Rudarë, ndërsa forca të tjera ishin stacionuar te vendi i quajtur Kërshi i Dudës.
Por diçka e tillë hasi në rezistencën e ashpër të qindra serbëve, të cilët u mblodhën për të kundërshtuar veprimet e KFOR-it dhe në përleshjen me të, tre banorë mbetën të plagosur.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, në një konferencë për shtyp të pak ditëve më parë, shprehu qëndrime të zbutura ndaj Serbisë, ndërsa nga ana tjetër theksoi se KFOR kishte vepruar për vetëmbrojtje.