Drews: KFOR-i nuk rri duarkryq në rast se kërcënohet veriu
Prishtinë, 15 nëntor - Veprimet e serbëve në veri të Kosovës me barrikada dhe pengesat e lirisë së lëvizjes për të gjithë jo serbët, mund të zgjasin pasi KFOR-i nuk e ka ndërmend të përcaktojë një datë të caktuar deri kur serbët duhet ti pastrojnë rrugët dhe të krijohet liria e lëvizjes.
Arsyeja pse aleanca paqeruajtëse nuk dëshiron ta përballë vetën me një skenar të tillë, sipas komandantit të KFOR-it, Erhard Drews, është bashkëpunimi që duhet bërë me të gjithë për të gjetur zgjidhjen e duhur.
Mirëpo, këtë pasivitet nuk do ta mbajë KFOR-i në rast se kërcënohet veriu i Kosovës apo komuniteti ndërkombëtar dhe minoritetet që janë dhe jetojnë atje.
Mund ta vërtetoj se nëse do të ketë ndonjë kërcënim të pjesës veriore të Kosovës, veçmas ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe grupeve minoritare në veri, atëherë KFOR-i do të merr veprimet që do të ndikojnë për të siguruar lirinë dhe sigurinë në tërë territorin e veriut të Kosovës, ka thënë të martën gjenerali gjerman pas ndërrimit të komandës së trupave të KFOR-it në perëndim të Kosovës, me çrast koloneli Vincenzo Cipullo ia kaloi komandën kolonelit tjetër italian, Andrea Borzaga.
Për veprime të tilla, në rast se paraqitet ky kërcënim, siç tha gjenerali Drews në një konferencë me gazetar, KFOR-i nuk do të pret vendime politike, por do të reagojë dhe veprojë si forcë ushtarake në terren.
Ndërsa ai siguroi se prej që ka marrë detyrën e komanduesit të trupave paqeruajtëse në Kosovë, KFOR-i nuk ka pasur asnjë lloj negociata me strukturat paralele serbe në veri dhe garantoi se derisa ai është në këtë post nuk do të ketë negociata të tilla me askënd për lirinë e lëvizjes.