Drejtori i Policisë së Kosovës u takua me drejtorin e Policisë së Serbisë
Prishtinë, 11 mars - Dje në Beograd, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës u takua me homologun e tij, drejtorin e Policisë së Serbisë.
Ky takim është pjesë e përkushtimit të Policisë së Kosovës për bashkëpunim me të gjitha shtetet e rajonit si mundësi e vetme e ndërsjellë për të pasur sukses në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative dhe sfidave bashkëkohore të rajonit, si dhe për të qenë në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës synon të jetë edhe vendi ynë.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar transkufitar, kontrollit të kufirit, migrimit ilegal, si dhe çështje tjera me interes për policitë e dy vendeve.
Takimi u vlerësua i suksesshëm edhe nga partnerët nga Bashkimi Evropian që ishin prezentë në takim, duke pasur parasysh se ky ishte takimi i parë i këtij niveli.
Policia e Kosovës ka bashkëpunim me të gjitha policitë e shteteve të rajonit dhe shpresojmë që takimi i djeshëm do ti kontribuojë fillimit të bashkëpunimit edhe me Policinë e Serbisë.