25 Dhjetor 2024

Dosja Pandora: MUP-i serb në Kosovë pa maska

Prishtinë, 26 gusht - Dosja e ka siguruar nga ish-zyrtarë të lartë të misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dosjen “Pandora”, në të cilën paraqitet në detaje skema e funksionimit të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme në territorin e Kosovës, pas qershorit të vitit 1999, është publikuar dje nga Portali LajmeShqip.

Edhe pse, siç paraqitet në dokument, ky funksionim nga UNMIK-u qysh atëherë është konsideruar ilegal dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244, megjithatë ish-administrata ndërkombëtare nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj këtyre strukturave.

Në 24 faqe të plota, dosja e siguruar ka të evidentuara dhe të ilustruara deri në detaje gjithë hierarkinë e funksionimit të strukturave ilegale dhe kriminele të Serbisë në Kosovë.

Dosja evidenton persona që kanë urdhëruar vrasjen e shqiptarëve, ashtu siç janë evidentuar urdhërues dhe komando të tjerë për eliminimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre serbë. Identifikimi i plotë i atyre që kanë kryer krime të ndryshme menjëherë pas luftës në Kosovë, përfshirë vrasje dhe torturim të shqiptarëve dhe familjeve shqiptare përfshin drejtpërdrejt edhe figura të njohura të politikës së sotme serbe në Serbi dhe Kosovë.

Dosja “Pandora”, që mban datën 14 mars të vitit 2006, dhe që nuk është e klasifikuar për përdorim të brendshëm, konfirmon të dhënat e dokumenteve konfidenciale të NATO-s.

Skema e funksionimit të policisë serbe (MUP) në Kosovë përbëhet dhe udhëhiqet nga të njëjtit persona, të cilëve dokumentet konfidenciale të NATO-s iu referohen si kriminelë, kapo të bandave dhe të krimit të organizuar në veri të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, në vitin 1999.


Hierarkia dhe strukturat funksionale të MUP-it në Kosovë

Në përputhje me rrethanat e reja pas qershorit të vitit 1999, MUP-i serb ka organizuar edhe mënyrën e funksionimit në Kosovë. Ndonëse ilegalisht, ata kanë ndërtuar një strukturë brenda Kosovës dhe kanë funksionuar, kanë kryer vepra të ndryshme, duke marrë urdhra nga Beogradi dhe duke raportuar po ashtu në Beograd.

Faqja 8 e dosjes “Pandora” paraqet skemën komplete organizative dhe funksionale të Departamentit të Policisë të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) të Serbisë.

I vendosur në Mitrovicë, si distrikt, me shef Momir Kasalloviqin, dhe e evidentuar si qendër koordinuese me Dr. Med. Srbo Milenkoviqin, koordinator, horizontalisht, sipas skemës, me urdhra nga udhëheqësi i SUP-it, kolonel Dragoljub Delibashiq – “Dragan”, i cili mban kontakte të rregullta me Qendrën Komanduese të rialokuar në Kralevë. Komunikimi i drejtpërdrejtë i Delibashiqit paraqitet me asistentin Dragoljub Radeviq, i cili vertikalisht komunikon me udhëheqësin e Departamentit të Komunikimit, Xhymret Hasani (emri në dosje Dzumret), përmes të cilit supozohet se ka komunikuar tërë vija tjetër e krimit.

Departamenti i Policisë, i udhëhequr nga Millorad Radeviq “Mishko”, paraqitet me zëvendësen e tij Natasha Gnjatoviq, e cila është përgjegjëse për kontakte me Stacionin Policor në Mitrovicë, që udhëhiqet nga Lubisha Kragoviq, Stacionin Policor në Zubin Potok, që udhëhiqet nga Zhivojin Gjuriq, dhe me Stacionin Policor në Leposaviq, që udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq, ky i fundit përgjegjës për nënstacionin e vendosur në Soqanicë dhe në Leshak.

Ndërsa, Stacioni Policor në Mitrovicë, përmes asistentit Lubisha Shekularac është në kontakt me nënstacionin e policisë në Prilluzhë, i cili udhëhiqet nga Ivica Zdravkoviq.

Stacioni Policor në Zubin Potok është përgjegjës i nënstacionit policor në Gazivodë.

Skema paraqet vijën komanduese edhe të stacioneve të policisë në Graçanicë, Ferizaj dhe në Pejë.

I pari, siç e paraqet skema, udhëhiqet nga Jankoviqi, në Stacionin e Policisë në Graçanicë, derisa ai i Ferizajt është i evidentuar si Stacion Policor në Shtërpcë, kurse Stacioni i Policisë në Pejë evidentohet të jetë me bazë në Gorazhdec.


Udhëheqësit dhe figurat qendrore të strukturave


Në dosjen “Pandora”, Dragolub Delibashiq, i njohur me nofkën “Kapiten Dragani” në dokumentin e NATO-s, konfirmohet si udhëheqësi apo figura qendrore e strukturës së MUP-it të Serbisë në Kosovë. Ai i menaxhon të gjitha strukturat ilegale të policisë serbe në veri, por edhe në tërë territorin e Kosovës. Me bazë veprimi në veri të Mitrovicës, Delibashiq raporton dhe merr urdhra nga komanda në Kralevë të Serbisë.

Sipas dosjes “Pandora”, këto struktura në Kosovë kanë kryer aktivitete të rregullta policore, kanë poseduar ilegalisht armë dhe eksplozivë dhe kanë kryer aktivitete luftarake, përmes të ashtuquajturave grupe luftarake brenda strukturës së tyre.

E fokusuar kryesisht në veri të Kosovës, në Mitrovicë, e cila ka pasur qendrën në Kralevë, policia serbe, më saktësisht një departament tjetër i saj, i quajtur Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë (BIA), ka vepruar sipas skemës organizative edhe në qendra të tjera:

Prishtinë - baza e së cilës ka qenë e lidhur me Nishin, Mitrovicë – baza e së cilës ka qenë e lidhur me Kralevën, Pejë – që ka qenë e lidhur me Kragujevcin, Gjilan – i lidhur me Vrajën, Ferizaj – me Leskovcin, Prizren – lidhur me Krushevcin dhe Gjakovë – lidhur me Jagodinën.

Oficeri i BIA-s, Nebojsha Komatina në skemë paraqitet në kontakt të drejtpërdrejtë me Zyrën e BIA-s në Mitrovicë, saktësisht me kontakte në kafenenë “Vozhd”.

Siç evidenton dosja, departamentet kryesore të Sekretariatit të Punëve të brendshme të Serbisë (MUP), të udhëhequra gjithnjë nga Dragolub Delibashiq, me asistent Dragolub Radeviq, sipas skemës, janë përbërë nga:

- Distrikti i Mitrovicës, i udhëhequr nga Momir Kasalloviq;

- Departamenti Policor, i udhëhequr nga Millorad Radeviq;

- Departament i Trafikut, i udhëhequr nga Lubo Kasalloviq;

- Departamenti i Krimeve, Goran Zhivkoviq;

- Departamenti i Komunikimit, Xhymret Hasani;

- Sekretariati i Punëve të Brendshme, Lilana Donkiq, Mitrovicë dhe

- Administrata kryesore, Danica Radojeviq.

Në kuadër të këtij organizimi kanë funksionuar edhe Departamenti i Zjarrit dhe organi disiplinor.

Është e paqartë nëse personi që përmendet në këtë skemë, i cili është i evidentuar si udhëheqës i Departamentit të Komunikimit, i quajtur Dzumret Hasani, gjendet në Kosovë apo në Serbi.

Po ashtu, organizatë e posaçme brenda kësaj strukture ka qenë famëkeqja BIA.

Strukturat luftarake në Kosovë (postet komanduese, patrullat dhe grupet ushtarake)

Faqja 12 e dosjes “Pandora” i ka të përmbledhura deri në detaje strukturat, siç janë të evidentuara në këtë dosje, postet komanduese, patrullat, grupet ushtarake dhe strukturat luftarake.

Në krye të tyre, sipas dokumentit, është kolonel Dragolub Delibashiq – Dragan, me një tjetër zëvendës të tij, Rajko Shekullarac.

Kjo strukturë, me dy qendra komanduese, ka kryer aktivitetet e saj kriminale në veri të Mitrovicës në Suhadoll, Rruga e Kollashinit, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Ura e Ibrit dhe shumë zona të tjera në veri, si dhe ka monitoruar rregullisht KFOR-in, CIVPOL-in dhe Policinë e Kosovës.

Dosja evidenton edhe mënyrën e regjistrim/raportimit ditor, raportimit në Kralevë si dhe raportimit në MUP në Beograd.

Qendra komanduese 1 dhe 2, evidentohet të jetë me bazë në rrugën Ivo Llolla Ribar dhe në rrugën Oslobogjenje, Brigada e Zjarrit, SUP.

Dosja evidenton edhe postet komanduese dhe përbërjen e tyre, udhëheqësit dhe armatimin e evidentuar. Në Postën komanduese 1, e vendosur në rrugën Vardarska, funksionojnë Divizioni i krimit, me udhëheqës Goran Zhivkoviq dhe tre oficerë tjerë, afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Posta komanduese 2, e vendosur në rrugën Osllobogjenje në “Roki House”, në të cilën qëndrojnë 24 orë, evidentohet të jenë të armatosur me armë CZ-99 9mm dhe TT 7.62mm.

Posta komanduese 3 evidentohet të jetë e vendosur në rrugën Branka Spajiq, në kafe-barin “Kërçma”, në të cilën thuhet të operojë në 3 ndërrime dhe të armatosur me 1 MP “Skorpion” dhe që patrullojnë B.S: dhe Suvi Dol deri te rruga Kollashinit.

Posta komanduese 4, e vendosur në rrugën Kral Petar, në kafe-barin “Dragan” Arsiq, evidentohet se tre oficerë të policisë monitorojnë KFOR-in, CIVPOL-in dhe SHPK-në, të armatosur me AK-47.

Ndërsa patrullimi, evidenton dosja, përbëhet nga tri grupe, i pari në rrugën Dërvarska, në të cilën operojnë 3 oficerë, i dyti në Ivo Llolla Ribar, Knjaz Milosh, rruga Vasilij Ostrski, në të cilën patrullojnë 3 oficerë, si dhe grupi i patrullës së tretë, i vendosur në kryqëzimet Ivo Llolla Ribar dhe Knjaz Milosh, në lindje të Urës, në të cilën patrullojnë gjithashtu 3 oficerë.

Dosja evidenton edhe grupet luftarake, të cilat janë të emëruara me udhëheqës dhe zëvendës, të ndara si më poshtë:

Grupi luftarak 1: Udhëheqës Sllavisha Radeviq, i njohur me nofkën “Xhille”, me zëvendësin Radosllav Zubac, i njohur me nofkën “Zuki”,

Grupi luftarak 2: udhëheqës Nedelko Spasojeviq, i njohur me nofkën “Spaske”, me zëvendësin Sllobodan Radeviq, i njohur me nofkën “Boko”,

Grupi luftarak 3: udhëheqës, Dragan Baboviq, me zëvendësin Nenad Dimoviq, i njohur me nofkën “Dimçe”,

Grupi pasiv luftarak i Leposaviqit, evidentohet në dosje, udhëhiqet nga Zhivan Nestoroviq dhe, si dhe Grupi ushtarak, logjistika dhe mbështetja, evidentohet se udhëhiqet nga Stanisha Kostiq.

Në fund të dokumentit shënohet se: udhëheqja (6 persona) e Grupeve Luftarake është konstante, ndërsa 14 persona të tjerë janë në dispozicion për cilindo nga grupet 1, 2 dhe 3.

Në të gjithë këtë aktivitet ilegal, të udhëhequr nga Dragolub Delibashiq, strukturat e MUP-it të Serbisë në Kosovë, në veri të Mitrovicës, janë implikuar në shumë aktivitete kriminale dhe në trazira, duke vepruar në përputhje me skemën që paraqitet në këtë dosje.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)