Donika Kadaj-Bujupi mund të dënohet deri në 10 vjet burgim
Prishtinë, 19 nëntor - Proceset penale i kanë ndarë të mërkurën dy partitë opozitare -Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën te Pallati i Drejtësisë.
Fatmir Limaj e Donika Kadaj-Bujupi kanë qenë për pak kohë në të njëjtin objekt. Por, për arsye të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.
Limaj, i akuzuar se ka vjedhur paratë e taksapaguesve të Kosovës, e Kadaj-Bujupi si e dyshuar se ka përdorur mjete të rrezikshme siç pretendon ajo për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës.
Proceset e ndara penale, kanë bërë që Fatmir Limaj të mos solidarizohet fare me kolegen e tij, Kadaj-Bujupi, ndonëse i takojnë një blloku opozitar që po i kundërshton marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Teksa Limaj nuk ka qëndruar shumë në sallën e gjykimit si i akuzuar për korrupsion, Kadaj-Bujupi është mbajtur thuajse gjithë ditën.
Seanca kundër Limajt është shtyrë për shkak se njëri prej anëtarëve të trupit gjykues ka pasur rast vdekjeje, Kadaj-Bujupi është marrë në pyetje dhe është dërguar në gjykatë me kërkesë të Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit prej 30 ditësh si e dyshuar për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, që dënohet deri në 10 vjet burgim.
/Koha Ditore/