Doganierët kosovarë në veri pa përcjellje të EULEX-it
Prishtinë, 8 prill - Bartja e doganiereve kosovarë në pikat kufitare në veri të Kosovës, nuk realizohet më nga EULEX-i që nga nëntori viti të kaluar.
Kjo gjë tanimë behët me vetë mjetet transportuese të Doganës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, drejtori i përgjithshëm i doganës, Lulzim Rafuna.
Çështja e transportit të doganierëve kosovarë në pikat kufitare në veri, konkretisht në Bërnjak dhe Jarinje, e cila deri nëntor të vitit të kaluar ishte realizuar me helikopterë nga ana e EULEX-it, tanimë bëhet nga vetë Dogana e Kosovës.
Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës, vlerëson se çështja e transportit të doganierëve në veri nuk ka qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Kjo sipas Rafunës është pjesë e organizmit të brendshëm të Doganës së Kosovës.
\"Nuk është e as që do të jetë pjesë e bisedimeve, sepse kjo është çështje e jona e brendshme. Dhe kjo çështje e transportit të oficerëve doganorë na përket neve si Doganë dhe ne e kemi organizuar si në çdo pikë tjetër. Edhe mbas shkuarjes së EULEX-it nuk do të ketë pengesa që oficerët tanë të udhëtojnë në vendkalime.
E ndërkohë që a pritet të këtë ndonjë ndryshim të këtij komponenti pas ndryshimeve që pritet të bëhen në mandatin e EULEX-it, zyra për informim e misionit për sundim të ligjit të BE-së, në Kosovë, nuk ka dashur të komentojë rreth saj.
Mandati aktual është valid deri në qershor. Negociatat mes Kosovës, Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së, po vazhdojnë. Do të ishte e pamatur nga ana jonë të spekulonim para rezultatit final, shkruan në përgjigjen e këtij misionit, drejtuar Radio Kosovës.
/RTK/