Dogana kap 2.7 kilogramë marihuanë në Vërmicë
Prizren, 1 korrik Njësitet e Doganës së Kosovës gjatë kontrollimeve në pikën kufitare me Shqipërinë më saktësisht në Vërmicë kanë arritur të parandalojnë futjen e lëndës narkotike si dhe një sasie të municionit respektivisht fishek.
Dogana njofton se mbrëmë rreth orës 20:40 në pikën kufitare në Vërmicë është paraqitur automjeti me targa të Shqipërisë me dy bashkudhëtar.
Pasi është pyetur nga ana e oficerit doganor nëse kishte diçka për të deklaruar në bagazh, pala ka deklaruar se nuk ka asgjë në bagazh. Gjatë kontrollës fillestare nën ulësen e pasme, është hasur në paketime të dyshimta të substancës narkotike, të llojit marihuanë, thuhet në një komunikatë të Doganës.
Në automjet është kryer kontrolli i detajuar në vijën e dytë, së bashku me njësitin anti-kontrabandë.
Gjatë kontrollës është hasur në një hapësirë të modifikuar në të cilën janë gjetur edhe pako të dyshimta me substancë narkotike dhe fishekë, thuhet në komunikatë.
Sasia e substancës narkotike marihuanë është 2.7 kilogramë dhe 6857 copë fishekë, respektivisht 5417 fishekë te kalibrit 7.62 mm për armë të gjata, dhe 1440 copë për revole.
Pas përfundimit të kontrollit të veturës dhe pas gjetjes së lëndës narkotike dhe fishekëve, lënda i është dorëzuar policisë kufitare në Vërmicë për vazhdim të procedurave policore të mëtutjeshme.
Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim.