Dobësohet roli i strukturave paralele
Mitrovicë, 25 nëntor - Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës gjatë javës së fundit ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident që do të reflektohej në situatën e përgjithshme.
Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se në përgjithësi kohëve të fundit është situatë e qetë dhe për këtë falënderoi punën e mirë të strukturave vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Ai theksoi se relaksimin e situatës ka ndikuar edhe dobësimi i rolit të strukturave ilegale serbe.
Ai u fokusua edhe në balotazhin që mbahet me 1 dhjetor edhe në veri të qytetit dhe në nevojën për masa të nevojshme të sigurisë.
Herën e fundit atje ka pasur një organizim të mirë, andaj është e nevojshme që edhe për balotazh strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë të jenë në nivel të detyrës.
Ndërsa, Ahmet Xhosha, nga Policia e Kosovës, tha se edhe në jug të qytetit situata është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem shqetësues. Ai theksoi se janë të gatshëm për balotazh që mbahet me 1 dhjetor në jug dhe në veri të qytetit.