Djali i Shukri Bujës e godet me BMW pompën e benzinës
Prishtinë, 7 gusht - Djali i kryetarit të Komunës së Lipjanit Valon Buja fundjavën e kaluar ka dëmtuar një pompë të "Valoni Petrol" në Veternik të Prishtinës.
Ndërsa ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe ka goditur me BMW-në e tij pompën, madje sipas dëshmitarëve, përpjekja për të hyrë në pompë me një shpejtësi mbi 120 km/orë ka rrezikuar edhe jetën e punëtorëve dhe klientëve.
Nga policia e Kosovës ky rast është klasifikuar si dëmtim prone, por nuk ka pranuar që të publikojë emrin e të dyshuarit dhe të dëmtuarve, shkruan Koha Ditore.
Më datën 04.08.2013 rreth orës 00:40 në Veternik tek një pompë e derivateve ankuesi mashkull, kosovar, shqiptar ka raportuar se një i dyshuar mashkull, kosovar, shqiptar, duke drejtuar veturën e tipit BMW, ngjyrë të kaltër, nga pakujdesia ka goditur një aparat të pompës me çrast e kishte dëmtuar. Sipas ankuesit vlera e dëmit të shkaktuar me këtë rast arrin rreth 7.000 euro. Rasti është iniciuar dhe është nën hetime, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Kosovës.
/Koha Ditore/