Diskutohet zbatimi i Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial
Prishtinë, 27 dhjetor - Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban rryezën e rrumbullakët me temë Zbatimi i Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kjo tryezë ka për qëllim të diskutojë rreth raportit të Komisionit për Legjislacion lidhur me zbatimin e Ligjit 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L -033, dhe Ligjin nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L -035.
Këto dy ligje janë pjesë shumë e rëndësishme e pakos legjislative për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Për të mbikqyrur zbatimin e tyre, Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtuar më 20 Shtator 2016 ka themeluar grupin punues i cili përbëhet nga deputetët e Komisionit për Legjislacion.
Grupi punues ka bashkëpunuar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Duke pasur parasysh rëndësinë që këto ligje kanë për sistemin e drejtësisë, Komisioni për Legjislacion dhe GSJP me qëllim të marrjes së inputeve profesionale shtesë nga akterët e interesuar, por edhe ekspertët e fushës, dëshiron që t`i mbledhë bashkë të gjitha palët e interesuara që të shpalosin mendimet, brengat dhe propozimet e tyre sa i përket zbatimit të këtyre ligjeve.
Të gjitha propozimet dhe komentet që do të diskutohen do të përmblidhen në raportin të cilin Komisioni për Legjislacion do ta dërgojë në Seancën Plenare të Kuvendit.
Të ftuar në takim janë anëtaret e Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues nga Organizatat e Shoqërisë Civile.