17 Janar 2025

Diskutohet rregullimi i caktimi i atasheve të sigurisë dhe mbrojtjes

Prishtinë, 8 nëntor - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së Shkëlzen Sylaj morën pjesë në tryezën e organizuar nga Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), “Rregullimi i caktimit të atasheve të sigurisë dhe mbrojtjes”, në ambientet e hotelit  Sirius në Prishtinë.

Nga një fjalë  hyrëse, në emër të organizatorëve, e mbajtën  Antije Frits, zëvendës udhëheqëse e Operacioneve për Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj.

Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, kryesues i tryezës, e vlerësoi  lart rolin e DCAF në përkrahjen e vazhdueshme të MFSK-së, si në përgatitje të legjislacionit ashtu edhe në përkrahje të aktiviteteve tjera të ndryshme.

“Është kënaqësi që një institucion siç është DCAF  ofron mbështetje për institucionin tonë, dhe  në veçanti, tani, në kohën kur MFSK ka një plan të zgjerimit  të përfaqësimit diplomatik ushtarak të Kosovës përmes atasheve të FSK-së, tani edhe të mbrojtjes apo ushtarakë në të ardhmen, duke pasur parasysh se diplomacia përbën “shtyllën kurrizore” të shtetit dhe kombit në marrëdhëniet ndërkombëtare”- u shpreh Sylaj.

Ai po ashtu tha, se,  përmes kësaj tryeze synohen të arrihen objektivat e dëshiruara, ku përmes bashkëpunimit të ngushtë të shkëmbimit të ideve dhe përvojave do të nxjerrim veprime praktike në rregullimin e çështjes që ka të bëjë me atashetë ushtarakë, përkatësisht atashetë e  Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

\"Përmes zhvillimit të qëndrueshëm të politikës së jashtme, ne, do të mbrojmë dhe promovojmë interesat nacionale, sigurinë kombëtare, favoret ekonomike dhe kulturore si dhe qëllimet ideologjike dhe politike të shtetit tonë në integrimet e mëtejme”, shtoi sekretari i MFSK-së.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, foli për “Rolin dhe rëndësinë e atasheve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përfaqësimin e shtetit”, ku vlerësoi punën e atyre që janë emëruar që nga viti 2012 në SHBA, Gjermani, Turqi, Shqipëri, Belgjikë dhe Suedi.

Komandanti tha se  emërimi i atasheve ka dhënë rezultate konkrete në avancimin e misioneve diplomatike, si dhe në  ngritjen e bashkëpunimit mes FSK-së dhe ushtrive të shteteve të ndryshme. 

“Atashetë tanë përcjellin tek shtetet mike synimin, zhvillimin dhe ecurinë e FSK-së, si dhe kanë qasje direkt në ministritë dhe shtabet e ushtrive duke u bërë kështu urë lidhëse mes FSK-së dhe ushtrive të shteteve ku ata janë të akredituar”- tha komandanti i FSK-së. Ai po ashtu shtoi se atashetë janë pjesë e rëndësishme e misionit diplomatik dhe kanë një rol kyç në ambasadat ku ata shërbejnë.

MFSK  e ka të rregulluar çështjen e atasheve të FSK-së në Rregulloren për atashetë e FSK-së, nr 04/2013.

Gjatë kësaj tryeze folën edhe nënkolonel Ahmet Ajeti, atashe i FSK-së në Bruksel; Krenare Sogojeva-Dermaku, udhëheqëse e Departamentit Ligjor në MFSK; Jetish Jashari, udhëheqës i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme; Dragan Lozanqiq, ish ndihmës i ministrit të Mbrojtjes nga Kroacia; Dobran Boziq, ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Sllovenisë; Andre Zumstein, kolonel në pension i Forcave të Armatosura të Zvicrës, instruktor i kursit trajnues për atashe të mbrojtjes.

Pjesëmarrës të kësaj tryeze ishin: Sekretari i përgjithshëm i MFSK-së Shkëlzen Sylaj; komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama; oficerë dhe zyrtarë të lartë të MFSK-së; përfaqësues nga Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF); deputetë të Kuvendit të Kosovës; përfaqësues nga Kroacia, Sllovenia, Zvicra; ish atashe ushtarakë; përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit; Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Financave; përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë dhe atashe ushtarakë të ambasadave të akredituar në Kosovë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)