02 Maj 2024

Diskutohet Projektligjin për konfiskimin e pasurisë

Prishtinë, 24 korrik -  Ministria e Drejtësisë sot organizojë Debat Publik lidhur me Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale.

Në këtë debat në të cilin morën pjesë përfaqësues të Shoqërisë Civile, Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, Agjencionit Antikorrupsion, Ambasadës amerikane, EULEX-it etj., Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në pika të shkurtra prezantoi versionin e këtij Projektligji.

Në prezantimin e tij para të pranishmëve të këtij debati, Ministri Kuçi tha: “Unë kam qenë dëshmitar i pakënaqësisë që disa përfaqësues të shoqërisë civile kanë shprehur me procedurën e zhvillimit të këtij ligji si dhe, më me rëndësi, me përmbajtjen e tij. Dhe ndonëse procedurat e konsultimit ishin kryer në mënyrën e paraparë me Rregullore, unë kam kërkuar që drafti aktual i Ligjit që ishte në atë kohë, të rishqyrtohet me ekspertët tanë dhe të diskutohet me hollësi rekomandimi i këtyre anëtarëve, si dhe të rishqyrtohet pastaj drafti i përditësuar me një grup akoma më të gjerë të shoqërisë civile. Si rezultat i përpjekjeve tona si Ministri e Drejtësisë, është takimi i sotëm.

Sot presim që së bashku me ju të diskutojmë procedurat e reja  që parasheh ky ligj, të diskutojmë mënyrën se si kemi reflektuar vërejtjet tuaja në të dhe të shohim mundësitë për përmirësimin e ndonjë vërejtjeje eventuale që mund të dalë sot nga ky takim.

Menjëherë më pas, pasi ta kemi finalizuar atë, ky Projektligj do të dërgohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvend.

Ndonëse procedurat që ndërthuren këtu janë procedura që sjellin një reformë të thuktë në luftën tonë kundër krimit, veçanërisht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, unë jam i gatshëm që të mbroj përmbajtjen e tij me të gjitha fuqitë e mia ligjore. Kjo sidomos për faktin që kemi marrë garanci tash e dy herë radhazi se secila dispozitë e këtij ligji është në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit të BE-së,  të cilat madje hyjnë në fuqi nga viti 2013 dhe shumica e shteteve anëtare nuk i ka aplikuar akoma në tërësi.

Unë tashmë kam adresuar disa herë shqetësimet kryesore të shumë palëve me këtë ligj. Kërkesat tona kryesore, veçanërisht në konsultim me krerët e Gjyqësorit e Prokurorisë, kanë qenë që të mund të ndahet barra e provës mes prokurorit dhe të pandehurit, si dhe të mundësohet procedura e konfiskimit edhe për pronën e fituar para kryerjes së veprës penale për të cilën personi dënohet.

Kur kemi filluar me draftimin e këtij ligji, kemi hasur në shqetësime të shumta nga shumë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur dyshimin për sigurinë juridike dhe mundësinë e keqpërdorimi apo aplikimit të gabueshëm të procedurave të tilla e që do të mund të rrezikonin shkeljen e të drejtave të qytetarëve tanë.

Si shembull, është shumë më e lehtë në një vend të BE-së që të dëshmohet prejardhja e pronës, përmes dokumentacionit që daton nga madje shekuj më parë, që nuk është shkatërruar nga asnjë luftë, e sidomos edhe ndërlidhur me traditën e tyre të gjatë juridike dhe mundësitë ekonomike që kanë sot. Të gjitha këto lehtësojnë dukshëm si barrën e Prokurorit për të dyshuar prejardhjen jo-legjitime të pasurisë ashtu edhe barrën e qytetarit për të dëshmuar se pasuria e tij në fakt është legjitime.

Prandaj, duke i pasur parasysh këto kufizime objektive që Kosova i ka, jemi munduar që të krijojmë një ligj i cili përmbushë këto kërkesa të BE-së, por i cili gjithashtu është i përshtatur për ambientin kosovar. Dhe për këtë, dispozitat siç mund t’i quajmë “të rregullta” të konfiskimit i kemi përfshirë në Draftin e ri të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa ky ligj përmban procedura të veçanta, që i kemi quajtur “kompetenca të zgjeruara të konfiskimit”.

Për të hyrë në substancë të ligjit, Drafti i Ri i Kodit të Procedurës penale përmban dispozitat për konfiskimin e dobisë pasurore të aktiviteteve kriminale të cilat i nënshtrohen konfiskimit të detyrueshëm, siç parashihet me Kod Penal.

Por, ka raste kur Prokurori nuk mund të kërkojë konfiskimin e dobisë pasurore. Kjo mund të ndodhë sepse i pandehuri nuk mund të ndiqet penalisht dhe t’i konfiskohet pasuria qoftë për shkak se nuk mund të vërtetohet se ai vërtetë e ka kryer atë vepër penale, apo mund të ndodhë që i pandehuri ka vdekur apo ka lëshuar vendin.

Projekti i binjakëzimit i Këshillit të Evropës, përmes ekspertizës që kanë ofruar me tre ekspertë kanë treguar për Vendimin Kornizë të Këshillit të vitit 2005 (2005/212/JHA (24 February 2005)) i cili ka vënë standardet për procedurat e konfiskimit. Ligji që Kosova po përpilon për këto procedura, duhet gjithsesi të jetë në përputhje të plotë me të dhe standardeve tjera të BE-së. Dhe kjo kërkon që Kosova:

a) të lejojë Gjykatën që të urdhërojë konfiskimin e dobisë pasurore nga vepra penale të fituar para dënimit të tij për vepër penale. E gjithë kjo procedurë është tashmë e paraparë në Kodin e Procedurës Penale;

b) në rastet kur i pandehuri është dënuar për veprën penale, t’i lejohet gjykatës të urdhërojë konfiskimin e pasurisë të fituara me aktivitete të ngjashme me ato për të cilat është dënuar;

c) në rastet kur personi është dënuar dhe ka pronë e cila është jo-proporcionale me të ardhurat e tij legjitime, Gjykata mund të urdhërojë konfiskimin e këtyre pasurisë nëse Gjykata bindet se këto pasuri janë fituar me aktivitet kriminal.

Ne gjithashtu kemi marrë në shqyrtim draft Direktivën e BE-së, të marsit të vitit 2012, e cila kërkon që shtetet anëtare të mund të konfiskojnë pasurinë edhe kur i pandehuri ka ikur nga shteti/është në arrati apo ka vdekur.

Është e zakonshme që të ndryshohet barra e provës në procedurat e konfiskimit. Kjo i kërkon Prokurorit që të dëshmojë një rast në shikim të parë (prima facie) dhe kështu t’ia bartë barrën të pandehurit që ai të dëshmojë se prona e tij është legjitime.

Kushtet e veçanta për Kosovë kërkojnë që të sigurohemi që të drejtat e njeriut nuk shkelen gjatë bartjes së barrës së provës. Një i pandehur i cili ka blerë pasuri edhe në mënyrë të ligjshme, mund të mos jetë në gjendje që të vërtetojë se si i ka fituar këto pasuri para luftës së vitit 1999. Prandaj Ligji ynë duhet gjithsesi që t’i përmbushë të gjitha këto kushte që sot kërkohen nga vendet e BE-së. 

Dua të veçoj tri nene të cilat sjellin risitë kryesore në procedurën e konfiskimit:

Neni 6 i Ligjit themelon një procedurë për Prokurorin që t’i konfiskojë pasurinë e “pashpjegueshme” pasi të jetë dënuar personi për një vepër penale. 

1) Kjo procedurë mund të përdoret vetëm nëse i pandehuri është dënuar për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XV (krimet kundër të drejtës ndërkombëtarë), Kapitulli XXIII (veprat penale me narkotikë), Kapitulli XXIV (Krimi i Organizuar), Kapitulli XXV (krimet kundër ekonomisë) dhe Kapitulli XXXIV (Veprat penale të korrupsionit.

[kjo është bërë me qëllim të sigurisë juridike të qytetarëve: pra nuk mund të dënohesh për shembull për vrasje, dhe të fillohet kundër teje një procedurë konfiskimi të pronës pa pasur ndonjë arsye]

2) Brenda 30 ditësh nga data e dënimit për veprën penale, Prokurori duhet gjithsesi të dëshmojë që personi i dënuar ka pasuri tjera të cilat nuk janë fituar me kryerjen e veprës penale për të cilën është dënuar. Prokurori është i detyruar që të dëshmojë se:

 

 a) Pasurinë janë fituar pas 31 Dhjetorit 1999;

b) I pandehuri nuk ka të ardhura legjitime që do të shpjegonin pasurinë e fituara;

c) I pandehuri ka qenë i përfshirë në sjellje të ngjashme me ato për të cilat është shpallur fajtor, dhe

d) Kjo sjellje do të mundësonte blerjen e atyre pasurive tjera.

 

3) Në lidhje me barrën e provës të ndarë mes Prokurorit dhe të pandehurit:

a) I pandehuri i ka 30 ditë të dëshmojë se ai i ka fituar këtë pasuri në mënyrë legjitime;

b) Personi i dënuar mund të paraqesë prova se shënimet kadastrale ose dokumentet tjera të cilat mund të dëshmojnë se pasuria është blerë me të ardhura të ligjshme nuk është në dispozicion apo nuk është e besueshme

4) Pas shqyrtimit të këtyre elementeve, Gjykata më pas vendosë nëse do t’i konfiskojë pasurinë apo jo.

 

Neni 7 i ligjit themelon një procedurë për Prokurorin që të konfiskojë dobitë pasurore nga vepra penale nga i pandehuri i cili ka vdekur.

1) Natyrisht, nëse personi ka vdekur, procedura penale ndaj tij përfundon.

2) Me këtë ligj, mundësohet që procedura të vazhdojë vetëm kundër pasurisë së tij.

 3) Pasuria duhet të jetë mjaftueshëm e vlefshme që të arsyetojë vazhdimin e procedurës.

4) Përfaqësuesi ligjor do të vazhdojë të përfaqësojë interesat e të pandehurit që ka vdekur dhe pronës së tij.

5) Prokurori duhet të vërtetojë se vepra penale ka ndodhur dhe se pasuria është fituar nga kryerja e asaj vepre penale.

Neni 8 i Ligjit themelon një procedurë që Prokurori të mund të konfiskojë dobitë pasurore nga një vepër penale, në rastet kur i pandehuri ka lëshuar vendin, është në arrati

Kushtet për vendosjen e konfiskimit të pronës së personit në arrati janë gati të njëjta me ato të procedurës kundër pronës së personit të vdekur.

Dua të përmend këtu për fund shkurtimisht disa veçori të tjera të ligjit:

 

Ligji e lejon Prokurorin që të kërkojë konfiskimin e pasurisë e cila është transferuar në mënyrë të kundërligjshme nga i pandehuri tek një person tjetër për ta mbrojtur pasurinë.

Neni 9 e lejon Prokurorin që të ngrijë pasurinë edhe ne rastet kur hetimet janë pezulluar.

Neni 12 i ligjit ndihmon që të krijohet një Fond për Kompensimin e Viktimave me 10% të të ardhurave të cilat janë konfiskuar. Kjo do të ndihmojë të realizohet një nevojë e gjatë për kompensimin e viktimave të krimit, edhe në rastet kur i dënuari nuk ka mundësi të bëjë kompensimin e tyre. Kjo do të ndihmojë që të sjellet drejtësi, mbështetje dhe rehati te shumë viktimave të krimit.

Drafti i mëparshëm i Ligjit ka pasur retroaktivitet të limituar. Pasuria e fituar gjatë të njëjtës periudhe kohore sa për atë që është dënuar do të konfiskohet. Për shumë vepra penale, si ato që u përmendën më lartë, ky efekt zgjatet shumë vite më parë. Dhe i gjithë ky lloj retroaktiviteti që i kemi dhënë këtij ligji është aprovuar nga experti Gjerman i kësaj fushe, duke garantuar që edhe këto dispozita kështu si janë janë plotësisht në përputhje me të drejtën e BE-së.

Për shembull: Një person dënohet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit e cila ka ndodhur mes qershorit të vitit 2008 dhe muajit maj 2010. Sipas nenit të mëparshëm 6, prokurori ka mundur të dëshmojë se është fituar pronë në mënyrë të pashpjegueshme gjatë asaj periudhe kohore e cila dyshohet të jetë fituar me aktivitete të ngjashme kriminale dhe ajo do të mund të konfiskohej. I pandehuri ka mundur gjithashtu të dëhsmojë se kjo pasuri është fituar në mënyrë legjitime.

Versioni aktual i ligjit ka retroaktivitet të kufizuar, por është shumë më pak i kufizuar. Është kufizuar deri në 31 Dhjetor 1999, dhe përfshinë pasurinë konfiskimin e pasurisë së fituar edhe para periudhës së kryerjes së veprës penale për të cilën personi dënohet. Gjithashtu, mundëson procedurën për të pandehurin që të dëshmojë se dokumentet të cilat do të mundësonin dokumentimin e legjitimitetit të pronës së tij nuk ekzistojnë. Kjo ka qenë njëra nga shqetësimet kryesore të bashkëpunëtorëve tanë ndërkombëtar, dhe ky shqetësim- pra mënyra e vërtetimit me dokumente kadastrave dhe të tjera- është adresuar në këtë mënyrë.

Për shembull:  Me draftin e ri të këtij ligji, nëse marrim shembullin e njëjtë si më parë, kur personi dënohet për vepër penale të korrupsionit prej viti 2008 deri 2010. Me nenin e ri 6, prokurori mund të dëshmojë se pasuria e fituar në mënyrë të pashpjegueshme që prej 1 janarit 2000 mund të jetë fituar me aktivitetet të ngjashme kriminale dhe prandaj mund të konfiskohet. Natyrisht, i pandehuri mund të dëshmojë se e ka fituar atë në mënyrë të ligjshme. Por gjithashtu, ai mund të dëshmojë se mungojnë të dhënat, dokumentet e duhura apo të besueshme të cilat do të dëshmonin legjitimitetin e pronës së tij. Ky argument gjithsesi mund të rrëzohet nga Prokurori, ngase në shumicën dërmuese të rasteve ekzistojnë të dhëna, dokumente të cilat ekzistojnë apo janë jorelevante për rastin.

Si përfundim, më lejoni të përmend se unë jam i bindur që me evoluimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Gjyqësorit dhe Prokurorisë sonë, ky ligj gjithashtu do të ndryshohet dhe përditësohet. Që të jem më i qartë, synojmë që pas disa vitesh të zbatojmë edhe konfiskimin e pasurisë para marrjes së vendimit final të gjykatës, që ka filluar të zbatohet në disa vende evropiane por që kanë traditë të shquar gjyqësore. Kosova nuk është cilësuar të jetë e gatshme për një shkallë kaq të rreptë të konfiskimit, sidomos pasi që është dëshmuar së një procedurë e tillë ka qenë krejtësisht e pasuksesshme dhe ka rezultuar në shkelje të të drejtave të njeriut në rajon, për shkak të situatës dhe traditës juridike që kemi. Megjithatë, ne jemi të bindur që shpejtë, Kosova do të arrijë atë stad të sofistikimit të legjislacionit dhe infrastrukturës përcjellëse sa të sigurohemi që edhe procedurat më strikte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mund të zbatohen në vendin tonë”.

Pas prezantimit të bërë nga Ministri Kuçi, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile, të Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë së Kosovës, Agjencionit Antikorrupsion, Ambasadës amerikane, EULEX-it, kanë paraqitur pikëpamjet e tyre lidhur me këtë projektligj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)