Diskutohet bashkëpunimi rajonal në fushën e punëve të brendshme
Brdo, 22 maj - Në Brdo të Republikës së Sllovenisë, Ministria e Brendshme e këtij vendi ka organizuar konferencën e Ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë konferencë, të njohur ndryshe edhe si Procesi i Brdo-s, ku po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, po diskutohet lidhur me përmbushjen e kritereve dhe harmonizimin e politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e Punëve të Brendshme, në përputhje me Kapitullin e 24 të procesit të anëtarësimit në BE.
Ministri Rexhepi në fjalën e tij, prezantoi para pjesëmarrësve progresin e arritur nga institucionet e Republikës së Kosovës në zbatimin e kushteve për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, me fokus në çështjet e migracionit, menaxhimit të kufirit, luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, narkotikë, armë etj.
Po ashtu, ministri Rexhepi i njoftoi të pranishmit se përkundër faktit se Republika e Kosovës është në një fazë të hershme në procesin e integrimit evropian, ka arritur të zhvillojë legjislacionin, politikat strategjike dhe mekanizmat implementues në përputhje me legjislacionin e BE-se dhe tani mbetet të punohet në implementimin e kornizës ligjore.
Në margjina të Konferencës së Brdo-s, ministri Rexhepi zhvilloi takime të shumta bilaterale me homologet e tij, si me ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, Gregor Virant, ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Ranko Ostojic, ministren e Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska, Sekretarin e Përgjithshëm të RCC-së, Goran Svilanovic dhe shumë pjesëmarrës të tjerë në Konferencë.
Në të gjitha këto takime u nënvizua nevoja e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal në fushën e punëve të brendshme, me qëllim të arritjes dhe plotësimit të kritereve në procesin e integrimit evropian.