02 Maj 2024

Diplomon gjenerata e pestë e kadetëve të FSK-së

Prishtinë, 5 qershor - Me intonimin e himnit të Kosovës, sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, filloi ceremonia e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare (QSU) të FSK-së, gjenerata e pestë, viti 2013.

Pas shfaqjes së posaçme të kadetëve (drill) ministri i FSK-së, Agim Çeku theksoi se kjo është një ditë e veçantë të cilën, do ta mbani ndërmend gjatë tërë jetës, kjo është një ditë, kur ju po e filloni karrierën e juaj ushtarake, dhe mos harroni; shumë Gjeneral me famë botërore, karrierën e tyre e kanë filluar me këso lloj ceremonie.

"Jam shumë i sigurt se para vetës, kam të rreshtuar edhe gjeneral të ardhshëm të Kosovës! Mundohuni që pikërisht, Ju të jeni ai."

Kjo ceremoni të nxit ndjenja të veçanta; kur FSK-ja po rritet, po fuqizohet dhe që nga sot, po i shtohen edhe këta oficerë të rinj, të shkolluar, të edukuar dhe të trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s.  

Ministri Çeku, për sukseset e kadetëve, falënderoi stafin e KDS-së, AUK-ut, dhe familjarët e kadetëve të cilët janë shumë meritor për suksesin e kadetëve.

Pastaj, ministri ju drejtua stafit arsimor, por edhe familjarëve: “Të jeni të sigurt, që kadetët nuk do të ju harrojnë kurrë, dhe do të ju marrin për shembull, çdo herë ku do të ballafaqohen me vendime, me sfida dhe me zgjedhje të vështira. Ju, nga gjenerata në gjeneratë po nxirrni gjenerata ma të mira se e gjeneratat paraprake. Akademia jonë ushtarake dhe sistemi i shkollimit të oficerëve të rinj, janë më të mirët në rajon. E di se sa krenar jeni sot, me djemtë e juaj, por edhe kadetët edhe ne eprorët e tyre, jemi shumë mirënjohës sepse pa mbështetjen e juaj, pa inkurajimin e juaj, pa dashurinë e madhe tuajën, ndaj tyre; djemtë e juaj nuk do të ishin rreshtuar sot, këtu para nesh. E di se sa shumë mund, sakrifica, dashuri, inkurajim është dashtë të bëni për t’i mbështetur djemtë e juaj, që të ja dalin, dhe ata ja dolën”.

Në fund, ministri Çeku, kërkoi nga kadetëve e posa diplomuar:  “Kadet të nderuar, oficerë të rinj të vendit tonë, keni zgjedhë një profesion të veçantë, profesion shumë fisnik dhe të mrekullueshëm, por edhe profesion në të cilin ka shumë pak detyra të lehta. Ju gjatë punës dhe karrierës tuaj do të ballafaqoheni me sfida të mëdha, me probleme të mëdha, me situata të vështira, por, do të duhet të sakrifikoheni, të përjetoni edhe dhimbje të mëdha, kuptohet do të ketë edhe momente gëzimi, momente triumfi, do të ketë edhe festa, ceremoni por ato zakonisht kalojnë shpejt në harresë.

Por, vetëm ndjenja e suksesit, krenaria për përmbushjen e misionit, besimi dhe respekti që shfaqin vartësit e juaj, do të kompensojë vështirësitë dhe sakrificat që keni bërë në përmbushje të misionit apo detyrës.

Ju do ta kuptoni ma mirë, thënien e njohur të Winston Churchillit: “Ne jetojmë nga ajo çka marrim, por e bëjmë jetën nga ajo që Japim”

Pra, puna e juaj, profesioni i juaj ka të bëj me dhënie. Gati gjatë tërë kohës nga ju do të kërkohet vetëm të jepni, që kurrë mos të lodheni, kurrë mos të ligështoheni dhe kurrë, bash kurrë, mos të dorëzoheni.

S’ka nevojë të ju them, se ju duhet të udhëhiqeni me shembullin tuaj. Ushtarët tuaj meritojnë komandim dhe udhëheqje të shkëlqyeshme, dhe ju duhet të ju ofroni këtë.

Nuk kam dyshim se Ju do t’i përmbushni pritjet tona.

Në fund, ju uroj marrjen e gradës së parë të oficerit dhe ju dëshiroj shëndet, fat dhe gjithë të mirat.

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati pasi përshëndeti të pranishmit,  tha: “Diplomimi i kadetëve të FSK-së, gjenerata 2013, është një moment sa i rëndësishëm aq edhe premtues për  institucionin dhe për vendin tonë. FSK-ja gjatë këtyre viteve ka dëshmuar para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar; gatishmërinë, përkushtimin dhe disiplinën për të përmbushur misionin e saj.

Janë arritur rezultate të larta, si në përmbushjen e kapaciteteve humane, teknike e infrastrukturore dhe në përgjithësi përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale.

Një ndër të arriturat e rëndësishme të FSK-së është ngritja dhe profesionalizimi i mëtejmë. E arritur e konsiderueshme dhe shumë e rëndësishme është edhe shkollimi i kadetëve, në; Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, që kryhen sipas standardeve të NATO-së.

Oficerët e FSK-së, sot janë krenaria jonë, jo vetëm për institucionin tonë, por, për Kosovën, ata janë prezantues të denjë të vlerave bashkëkohore ushtarake, ata kudo që kanë qenë pjesëmarrës, si në trajnime apo shkollime, brenda dhe jashtë vendit kanë treguar një shfaqje e cila në të shumtën e rasteve janë shpërblyer me mirënjohje dhe falënderime të ndryshme nga institucionet organizuese.

Në fund, komandanti i FSK-së, shtoi:  “Në këtë proces të shkollimit dhe edukimin të kadetëve të FSK-së, një rol të fuqishëm po jep në vazhdimësi Universiteti Amerikan në Kosovë, për çka me këtë rast shprehim falënderimin tonë institucional”.

Ndërsa, kadetëve ju dëshiroi suksese në detyrat e reja dhe përgjegjësi për to; Urime dhe suksese!

Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjeneralmajor Timoty Orr, tha se, për më tepër se katër vite kemi punuar së bashku, në Kosovë, për ta krijuar këtë forcë të sigurisë, me çka duhet të jeni krenar të gjithë. Që nga sot, ju po bëheni oficerë udhëheqës, sepse ju e keni zgjedhur një rrugë të shenjtë dhe si do ta drejtoni sot e tutje, do të vendosni se çfarë oficeri do të bëheni. Ju keni marrë mësime të shumta se si do të bëheni lider dhe si t’i merrni vendimet e duhura në kohën e duhur, tha në fund gjenerali Orr.

Diplomuan dhe u graduan, këta kadetë: Adison Gara, Albion Ajvazi, Ardian Ramadani, Elbasan Sabedini, Festim Selimi, Fitim Kadrijaj, Kreshnik Zeneli, Lirim Bllaca, Shpëtim Dragobuzhda dhe Taulant Gashi. Kadeti më i mirë  i kësaj gjenerate u shpallë Albian Ajvazi.

Në fund, ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjenerali Orr dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, kadetëve u dhanë diplomat dhe mirënjohjet, ndërsa komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Orr, të gjithë kadetëve të diplomuar u dha nga një medaljon. 

Në ceremoninë e diplomimit-gradimit merrnin pjesë; ministri i FSK-së, Agim Çeku, zëvendësministrat: Shemsi Veseli, Bejtush Gashi, Sllavisha Filipoviç, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneralmajor Timoty Orr, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneralmajor Rrahman Rama, gjeneralët: Zymer Halimi, Imri Ilazi, Enver Cikaqi, Gzim Hazrolli, Nazmi Brahimaj, atasheu ushtarak i SHBA-ve Gjems Kot (Jems Kott), atasheu i Kosovës në SHBA gjeneral brigade Xhavit Gashi,  kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përfaqësues të Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të FSK-së, oficerë të lartë të FSK-së dhe të KFOR-it, familjarë të kadetëve dhe qytetarë të shumtë.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)