Diplomojnë kadetët e rijnë të FSK-së, gjenerata 2016
Prishtinë, 1 korrik - Në kazermën e FSK-së ʺSkënderbeuʺ në Ferizaj, sot u zhvillua ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare të FSK-së, gjenerata 2016.
Në ceremoni morën pjesë: ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major Timothy Orr, zëvëndësministrat e FSK-së, Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi, gjeneral brigade Bashkim Jashari, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, kolonel Irfete Spahiu, kolonel Naim Haziri dhe ushtarakë të lartë të MFSK-së dhe FSK-së, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Muharrem Sfarqa, familjarë të kadetëve si dhe të ftuar tjerë.
Pas ngritjes së Flamurit dhe intonimit të himnit, ministri i Ministrisë së FSK-së, z. Haki Demolli, tha se diplomimi dhe gradimi i kadetëve të FSK-së për mua si ministër i FSK-së është një ngjarje e veçantë që më bënë të ndihem krenar.
Ministri Demolli diplomimin dhe gradimin e 9 kadetëve të FSK-së të Qendrës së Studimeve Universitare të FSK-së, në gradën e nëntogerit, e cilësoi si një ditë të veçantë për FSK-në. Kjo është dita e kurorëzimit të një pune të gjatë, është dita e ëndërruar që juve ju ka shty para 4 viteve të vendosni që të vishni uniformën dhe të bëheni pjesëtarë të FSK-së, të bëheni oficerë të karrierës.
,,Realizimi i kësaj ëndrre rinore, sigurisht se ka kërkuar punë këmbëngulëse dhe studime të kombinuara në qendrën ushtarake dhe në universitetet civile. Kjo ditë shënon kalimin në një fazë të re zhvillimi, kur juve ju hapet mundësia për tu aktivizuar në FSK si oficerë aktiv, për të filluar karrierën e oficerit.
Për suksesin e kadetëve, me këtë rast, ministri Demolli përgëzoi stafin akademik trajnues të KDS-së dhe të QSU-së, për punën e tyre të palodhshme në përgatitjen dhe stërvitjen e kësaj gjenerate.
FSK-ja është një shembull i zhvillimit dhe i progresit përmes investimit në dije dhe në shkencë. ,,Kjo po dëshmon më së miri, se ne po e krijojmë një forcë profesionale dhe me standardet më të larta ushtarake, me standarde të NATO-s.
Ministri Demolli, më pastaj i porositi kadetët e sapo diplomuar: \"Oficerë të rinj, ju sot me të drejtë jeni të mbushur me krenari dhe gëzim, duke na siguruar për një të ardhme me perspektivë të sigurt. Si ministër i MFSK-së ju porosis që të mos harroni se: nuk ka mision më të shenjtë se të jesh oficer në shërbim të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë; vlera dhe parime këto për të cilat gjenerata të tëra kanë sakrifikuar shumë duke dhënë jetën e tyre në altarin e lirisë.
Ndërkaq, për shkollimin e kadetëve në QSU ministri u shpreh: Doktrina e stërvitjes dhe shkollimi i kadetëve të FSK-së, është bazua plotësisht mbi dijet dhe shkencën ushtarake dhe standardet e ushtrive më të avancuara, e kombinuar me shkollimin paralelë në institucione civile, por edhe një mundësi e së ardhmes për specializime të ngushta në perspektivën e karrierës ushtarake.
Në fund, ministri Demolli i përgëzoi kadetët. Diplomimi i juaj është më ndryshe nga gjeneratat tjera, sepse ju diplomuat në vitin kur Kosova, Ministria dhe FSK-ja, kemi bërë të gjitha përgatitjet, që janë kërkuar nga procesi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Ne si ministri e FSK-së dhe Qeveria e Kosovës jemi duke punuar shumë, që ky objektiv madhor i fushës së mbrojtjes dhe sigurisë së vendit të realizohet sa më parë. Shikuar nga perspektiva e kadetëve të sapo diplomuar, kuptohet se FAK-u do të ketë një strukturë të re, mision të ri dhe mundësi të reja, për ju si oficerë të rinj në moshë, me punën tuaj nëpër njësi të ndryshme, mund të jepni tërë dijen dhe përvojën tuaj, përkushtimin tuaj, në ngritjen dhe konsolidimin e Ushtrisë së Kosovës. Kadetë të nderuar, Urime dhe suksese në karrierën tuaj ushtarake.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij me rastin e diplomimit të kadetëve tha se ndihet shumë krenar në këtë ditë të veçantë për FSK-në. ,,Sot jemi këtu që të shprehim mirënjohjen tonë për guximin dhe vetëmohimin që kanë treguar kadetët gjatë këtyre katër viteve. Ju kaluat sfida të mëdha fizike dhe mentale, me të vetmin qëllim që të edukoheni dhe të përgatiteni për ti shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Por më duhet të ju them që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tuaj në këtë profesion fisnik. Gjatë karrierës tuaj ju do të ballafaqoheni me beteja të ndryshme, të cilat ju si udhëheqës, duhet ti zgjidhni. Unë kam besim të plotë që me edukimin dhe trajnimin që keni bërë, vlerat që mësuat, dhe gatishmërinë tuaj, do të ia dilni shkëlqyeshëm të jeni në shërbim të vendit dhe në ndihmë të qytetarëve atëherë kur ata kanë nevojë më së shumti.
Nga ju pres që të jeni udhëheqës të ndershëm, të guximshëm dhe të punoni me përkushtim. Gjithashtu, pres nga ju, që të gjitha vështirësitë me të cilat do të ballafaqoheni në të ardhmen, ti ktheni në mundësi, se vetëm kështu ne do të zhvillojmë dhe avancojmë institucionin tonë që të jetë i gatshëm të përmbush misionin e vet, tu dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë regjionale e globale.
Gjeneral Rama me këtë rast, përgëzoi stafin e KDS-së, për punën e palodhshme që është duke e bërë në zhvillimin profesional të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, e në veçanti stafin e Qendrës për Studime Universitare, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po punojnë për edukimin dhe trajnimin e oficerëve të rinj. Po ashtu gjeneral Rama një falënderim të veçantë e pati edhe partnerët tanë, të cilët siç tha ai vazhdimisht po na përkrahin në procesin e rëndësishëm të edukimit, shkollimit, stërvitjes dhe ngritjes së kapaciteteve tona. Pa përkrahjen tuaj, FS-ja nuk do të ishte këtu ku është sot.
Gjenerali Amerikan Timothy Orr: Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën
Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjenerali Timothy Orr u shpreh i emocionuar me arritjet e kadetëve të FSK-së, për këto katër vjet gjatë shkollimit. Në ju, unë shohë drejtues me integritet dhe shërbyes shembullor. Ju keni punuar shumë përgjatë katër vjetëve, që të arrini sot, këtu dhe të merrni gradën e nëntogerit. Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën. Ju jeni më të mirët e të mirëve që ka Kosova. Para së gjithash mbani mend, vendi juaj ka investuar kohë, para dhe udhëheqje që ju të arrini këtë pikë të karrierës ushtarake tha në fund gjenerali amerikan Orr.
Pas leximit të urdhrit për gradimin e kadetëve në gradën e nëntogerit, ministri Demolli, gjeneral Rama, gjenerali Orr, kolonel Spahiu dhe majori Kiqina u dhanë certifikatat, oficerëve të rinjë të FSK-së. Më pas, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i dorëzoi kadetit-Eugen Thaçit, çmimin Kadeti më i mirë i gjeneratës 2016.
Kadetët e sapo diplomuar: Behar Fazliu, Eugen Thaçi, Rilind Idrizi, Xhemal Mziu, Kemajl Haliti, Drilon Hasani, Zymer Kukalaj, Çlirim Morina dhe Besfort Kurteshi dhanë betimin solemn para komandantit të QSU-së, major Avni Kiqina.