26 Dhjetor 2024

Dhuna ndaj gruas e shkatërron trungun e familjës

Prishtinë, 19 tetor - Dhuna në familje dhe parandalimi i saj ishte temë qendrore e Tryezës, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Teuta Sahatqiu, kryetare e Bordit të GGD-së, e ku merrnin pjesë edhe  presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, deputetë dhe  veprimtare të institucioneve të ndryshme, që merren me mbrojtjen e të drejtave të gruas.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se dhuna ndaj gruas e trondit dhe e shkatërron trungun  e familjes. Dhuna si e tillë bëhet pengesë për jetë me dinjitet të gruas, por njëkohësisht bëhet pengesë edhe për prosperitet të shoqërisë.

Dhuna, tha ajo, është dukuri e shëmtuar globale, ndaj duhet të luftohet me veprime konkrete për t’u  çrrënjosur nga shoqëria, meqë nuk mund të ketë tolerancë ndaj dhunës kundër  gruas dhe fëmijëve.

Ajo i siguroi pjesëmarrësit se do të ketë përkrahjen e saj si presidente për luftimin e kësaj dukurie. Presidentja Jahjaga  u angazhua për angazhim drejt krijimit të një ambienti të shëndoshë për fëmijë , në familje dhe në shkollë, ashtu si veprohet edhe në shoqëritë e civilizuara evropiane.

Në fjalën përshëndetëse Laura Nichols, drejtore e NDI-së tha se dhuna në familje ndodh në çdo cep të botës, ndaj kërkohet përkushtim për luftimin e saj.

\"Kjo luftë duhet të jetë prioritet i lartë. Luftimit të kësaj dukurie, NDI-ja i kushton kujdes të madh, ndërsa “kur jemi së bashku, kur punojmë kështu, jemi më të fortë, atëherë edhe do të arrijmë rezultate.”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në fillim theksoi se dhuna në familje është një nga temat më të rënda në shoqëri, pasi gruaja është strumbullar i shoqërisë.

Qeveria e Kosovës në kuadër të prioritetit për rend dhe ligj angazhohet edhe për mbrojtje të grave dhe fëmijëve nga dhuna. Është tragjike, tha ai, që gjysma e rasteve ndaj të cilëve ushtrohet dhunë, janë gra dhe fëmijë.

Duke folur për nevojën e ndërmarrjes së masave parandaluese kundër dhunës, Hajredin Kuçi, u angazhua për krijimin e një ambienti , në të cilin nuk do të ekzistojë dhuna.

Është e nevojshme , tha ai, që edhe më shumë të punohet në aspektin rehabilitues të grave dhe fëmijëve që kanë përjetuar dhunën.

Ndërkaq, raportimi i secilit rast të dhunës në familje është faktor me rëndësi reflektuese në zvogëlimin e kësaj dukurie.

Mirëpo, për këtë është i nevojshëm edhe  guximi dhe ndihma  juridike.

Nëse veprohet kështu, atëherë tha ai, zbehet guximi për të ushtruar dhunë. Në kuadër të luftimit të dhunës në familje, Qeveria e Kosovës angazhohet e kontribuon edhe në fushën e përpilimit të ligjeve  përkatëse.

Në këtë vështrim ai përmendi nevojën e shkurtimit të procedurave nëpërmjet  Kodit Penal për marrjen masave përkatëse ndaj personave që ushtrojnë dhunë, në mënyrë që brenda dy seancave gjyqësore të përmbyllet kapitulli i rastit të dhunës në familje.  

Avokati i Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi, foli për rolin dhe kontributin që mund të japë ky institucion në luftimin e kësaj dukurie, e cila sipas tij është e shprehur veçanërisht në mjediset rurale.

Pos dhunës fizike, ai theksoi edhe dhunën psikike ndaj gruas, e cila shkakton trauma psikologjike me pasoja edhe për fëmijët. 

Përkitazi me angazhimet e Komisionit  për të drejtat  e njeriut, barazi gjinore dhe për persona të pagjetur në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit foli deputetja Albana Gashi, e cila theksoi sa ka pengesa gjatë zbatimit të këtij Ligji.

Diskutuesit vunë në spikamë faktin brengosës se raportimi i rasteve të dhunës në familje nuk shoqërohet edhe me angazhim efikas të organeve të ndjekjes.

Madje, u përmend edhe një rast kur pikërisht për shkak të neglizhencës së organeve të ndjekjes para do kohe një grua është vrarë, megjithëse ishte raportuar rasti.

U tha se sipas shënimeve statistikore ka rënë numri i raportimeve për dhunë në familje, por vështirë është të vlerësohet se athua është kjo pasojë e asaj se vërtet ka rënë ky numër, apo qytetarët kanë humbur besimin te institucionet përkatëse dhe nuk e shohin të arsyeshme të raportojnë rastet në polici.

Gjatë debatit doli edhe propozimi për ngritjen e një programi të integruar  për reagim në rastet e raportuara, përkatësisht që raportimet të mos mbeten çështje vetëm e viktimave dhe policisë.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)