18 Janar 2025

Dhuna asnjëherë nuk mund të arsyetohet

Prishtinë, 31 mars – Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të doracakut për gjyqtarë dhe prokurorë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka vlerësuar këtë ceremoni në të cilën po shënohet hartimi i një doracaku sa praktik, aq edhe të nevojshëm për gjyqtarët dhe prokurorët në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ministri Kuçi tha se trajtimi rrënjësor i dhunës në familje kërkon jo vetëm mobilizim të vazhdueshëm ndër-institucional, por edhe mobilizim mbarë qytetar. Në vazhdën e aktiviteteve, Ministria e Drejtësisë po luan rol udhëheqës në hartimin e politikave parandaluese, si dhe në mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të dhunës në familje.

“Në aspektin ligjor, Kodi Penal i Republikës së Kosovës ka paraparë dënime të ashpërsuara kur veprat penale kryhen ndaj “viktimave të ndjeshme,” që përfshinë partnerin, bashkëshortin, apo fëmijën. Përveç dhunës fizike, Kodi Penal gjithashtu parasheh edhe veprën penale të ngacmimit kur pjesëtarët e familjes përjetojnë dhunë psikike nga një familjar tjetër”, tha Ministri Kuçi.

Kuçi theksoi edhe aspektin institucional duke potencuar se Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje udhëhiqet drejtpërdrejt nga Zëvendësministri i Drejtësisë, gjë e cila dëshmon rëndësinë dhe vullnetin politik që po i jepet çrrënjosjes së kësaj praktike kërcënuese. 

“Së bashku me një gamë të gjerë aktorësh institucional, jemi duke hartuar një program të ri për luftimin e dhunës në familje. Përpjekjet tona institucionale janë të dobishme në trajtimin e dhunës në familje. Megjithatë, ato janë gjysmake pa mobilizim mbarë qytetar. Si shoqëri e kemi detyrë t’ia krijojmë grave dhe vajzave tona hapësirën e nevojshme që të flasin dhe raportojnë kur ato përjetojnë dhunë. Dhuna asnjëherë nuk mund të arsyetohet dhe viktima assesi nuk mund të fajësohet” tha Ministri Kuçi.

“Çrrënjosja e dhunës në familje dëshmohet me zbutjen e hendekut të pabarazisë gjinore, mirëpo barazia gjinore është rezultat e jo mjet i përpjekjeve tona. Gratë dhe vajzat do të jenë të barabarta atëherë kur ato gëzojnë pavarësi ekonomike—njëjtë sikur vëllezërit apo bashkëshortët e tyre”, shtoi Kuçi.

Si Ministër i Drejtësisë, Ministri Kuçi theksoi se ёshtё i përqendruar në hartimin e politikave për fuqizimin e të drejtave pronësore, për të ngritur numrin e grave dhe vajzave që posedojnë apo trashëgojnë pronë, sepse kur gratë dhe vajzat tona posedojnë pronë, ato bëhen të pavarura. Kur vajzat tona janë të pavarura, ato i rezistojnë dhunës në familje. Ambienti familjar i qetë siguron rritje të mirëfilltë të fëmijëve tanë.

Ndër tё tjera Ministri Kuçi përmendi edhe rolin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rёndёsinё e angazhimit tё tyre për trajtimin e rasteve të dhunës në familje si përgjegjësi e dyfishtë: jo vetëm profesionale, por edhe individuale. Gjithashtu Ministri Kuçi theksoj edhe rëndësinë e Pavarësisë dhe Llogaridhënies së gjyqësorit. Mirëpo, shumë më pak flasim për paanshmërinë e gjyqësorit. Paanshmëria është shumë më vështirë të realizohet, pasi që gjatë vlerësimeve tona, shumë herë edhe paqëllimshëm mund të ndikohemi nga botëkuptimet individuale që i kemi zhvilluar që nga fëmijëria.

Ministri Kuçi tha se janë gjyqtarët dhe prokurorët ata të cilët duhet ta marrin me seriozitetin më të plotë kur një viktimë kërkon lëshimin e urdhër mbrojtjes, apo përcaktimin e kujdestarisë së fëmijëve, prandaj në raste të tilla edhe kujdesi duhet të jetë maksimal. Duke i falënderuar partnerët ndërkombëtar, në veçanti Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës—Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë dhe Departamentin e Drejtësisë, të cilët kanë përkrahur konsolidimin e arkitekturës ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës, për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e secilit qytetar të Kosovës, pa dallim, Ministri Kuçi bëri thirrje që të shfrytëzohet ky doracak i cili ofron informata të qarta për mjetet juridike në dispozicion për t’u zbatuar, qoftë në rrafshin civil apo penal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)