Dhjetëra vende do të kontrollohen për kërkimin e të zhdukurve
Prishtinë, 1 dhjetor - Ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) planifikojnë ta bëjnë vlerësimin e më shumë se tridhjetë vendeve të mundshme gjatë vitit të ardhshëm si pjesë e kërkimit të tyre të vazhdueshëm për personat e zhdukur nga konflikti në Kosovë dhe si pasojë e tij.
Departamenti planifikon ta kryejë vlerësimin e vendeve dhe ti bëjë zhvarrosjet në rajonin e Gjakovës, të Pejës, të Klinës, të Prizrenit, të Mitrovicës, të Skenderajt dhe të Podujevës.
Ekspertët tanë mjekoligjorë do të vazhdojnë të punojnë intensivisht lidhur me vlerësimin e vendeve, zhvarrosjen, obduksionin dhe punën e identifikimit. Vitin e ardhshëm ekipi vendas për zhvarrosje i DLM do të punojë në mënyrë më intensive në terren tha Alan Robinson, bashkëdrejtues i EULEX-it i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.
DML do të vazhdojë të veprojë së bashku me autoritetet përkatëse për vendet e supozuara jashtë Kosovës.
Shpresohet që gjatë vitit të ardhshëm do të përfundojë rishqyrtimi i rasteve të mbetjeve të paidentifikuara të cilat mbahen në DML. Për këtë projekt të rishqyrtimit të rasteve janë zhvilluar hetime më shumë se dy vjet dhe janë kryer më shumë se tridhjetë identifikime të reja. Vitin e ardhshëm do të rishqyrtohen edhe tetëdhjetë e pesë raste të tjera.
Ne nuk mund ti parashikojmë rezultatet por DML shpreson se do të bëhen edhe më shumë identifikime tha Robinson.
Më 2012, EULEX-i po ashtu do të vazhdojë ta mbështesë modernizimin e mjekësisë ligjore në Kosovë duke punuar ngushtë me mjekët ligjorë dhe me specialistët e tjerë vendas. Alan Robinson përfundoi që në këtë fushë është arritur përparim i madh.
Vitin e ardhshëm puna jonë do të përqendrohet në konsolidimin e të arriturave të homologëve tanë vendas. Për të pasur gjyqësor të fuqishëm nevojitet një shërbim mjekoligjor i fuqishëm dhe i qëndrueshëm. Ne po përpiqemi ta arrijmë këtë së bashku tha Robinson.