Dhjetë të arrestuar për krim të organizuar dhe korrupsion
Prishtinë, 17 prill - Pas një hetimi, mbi një vjeçar departamenti special anti-korrupsion nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot, në orët e hershme të mëngjesit ka bërë arrestimin e dhjetë personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizim zyrtar, dhënie e ryshfetit, marrje ryshfetidhe ushtrim i ndikimit.
Zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun pranë Policisë së Kosovës ka njoftuar se operacioni policor është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me dyshimin e bazuar se të dyshuarit në bashkëveprim kanë kryer veprat penale të cekura më lart për përfitim personal apo të tjetrit në një proces të privatizimit, Vala 34 e tokës bujqësore 91 ha, në fshatin Muzakaj- Kuvendi Komunal i Obiliqit i administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, , i shitur për një milion e pesëqind mijë euro.
Të dyshuarit duke vepruar nga pozita të ndryshme si në institucione, AKP-ja, Drejtoria e Kadastrit-Obiliq, dhe të bizneseve duke i keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke ndikuar te zyrtarë të tjerë në procesin e privatizimit Vala 34 të tokës bujqësore 91 ha, në fshatin Muzakaj-KK Obiliq e administruar nga AKP-ja kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme për veti dhe të tjerët.
Gjatë realizimit të operacionit policor përveç arrestimit të të dyshuarve janë realizuar edhe një sërë kontrollesh në zyrat e punës, shtëpitë e banimit dhe objektet e tjera përcjellëse me ç rast janë sekuestruar në cilësinë e dëshmive dhe provave materiale: një sasi dokumentacioni që lidhen me procesin e privatizimit në fjalë, pajisje elektronike: dy kompjuterë, 25 CD të ndryshme, dy telefonë celularë, një pushkë mitraloz, një AK -47, një pushkë gjysmë automatike, një automatik tipi Hekler, dhe katër pistoleta të tipave të ndryshëm dhe municion 130 copë të kalibrit të ndryshëm.
Operacioni policor është mbështetur nga njësi të tjera policore, Njësia speciale operative, Njësia e krim teknikës, Njësitë nga stacioni policor Jugu dhe Obiliqi dhe çdo gjë ka rrjedhur sipas planit operativ.
Pas realizimit të operacionit policor të dyshuarit janë arrestuar dhe sipas koordinimit të prokurorit të çështjes me gjyqtarin e procedurës paraprake të dyshuarit në fjalë do të dërgohen në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.