09 Maj 2024

Detaje të reja për skandalin e korrupsionit për pasaporta

Prishtinë, 6 janar - Dalin në dritë detaje të reja rreth skandalit me pasaporta. Protagonistja kryesore e këtij skandali, Natali Velija, del të jetë edhe bashkëpronare e një kompanie që merret me beton e qeramikë.

Kompanitë që merren me këtë veprimtari i ka përmendur ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Besnik Berisha, i cili ka thënë se në xhirollogari të kompanisë së kësaj fushe janë derdhur mjetet e dedikuara për prodhimin e pasaportave, raporton KTV.

Betoni e qeramikat nuk kanë lidhje me pasaportat, por me të arrestuarën për skandalin me pasaporta biometrike, Natali Veliaj. Ajo është bashkëpronare e kompanisë “Fimex” që, ndër të tjera, merret me prodhimin e betonit dhe produkteve ndërtimore.

Natali Velija dhe Fisnik Blakaj figurojnë si bashkëpronarë të kësaj kompanie, në xhirollogarinë e së cilës dyshohet të kenë shkuar një pjesë e parave të zhdukura.

Në ueb-faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në emrin e Blakajt figuron edhe një kompani tjetër, e cila po ashtu merret me ndërtime dhe materiale të ndryshme. Blakaj dhe vëllai i tij Betimi, ishin arrestuar po të njëjtën ditë kur ishte arrestuar Natali Velija, nën dyshimin se kishin bashkëpunuar në këtë rast.

Por, pavarësisht faktit se i suspenduari nga puna, Besnik Berisha, ka dhënë detaje të shumta në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ministri i Brendshëm nuk ka dashur të komentonte shumë.

Ish-drejtori Berisha kishte deklaruar se vetë ministri Rexhepi ua kishte treguar listën e transaksioneve nga xhirollogaria e kompanisë nënkontraktuese.

Avokati i Natali Velijajt, Tomë Gashi thekson se ajo asnjëherë nuk ka mohuar faktin se kishte ndalur një shumë të hollash për vete, si thotë ai, ashtu siç e parashihte marrëveshja me MPB-në.

Gashi vlerëson se nuk mund të flasë për detaje, si pasojë e kufizimeve, por thekson se klientja e tij është një viktimë e një loje të zyrtarëve të lartë të MPB-së të përfshirë në këtë tender.

Velija pritet që gjatë javës së ardhshme të merret në pyetje për herë të fundit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)