Dështon gjykimi ndaj grupit kriminal që mashtroi rreth 176 qytetar për shitjen e banesave
Pejë, 25 shkurt - Gjykata Themelore e Pejës në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka anuluar seancën gjyqësore ndaj gjashtë të akuzuarve që ngarkohen me veprat penale krim i organizuar, mashtrim, shpërlarje e parave, shkaktim i falimentimit dhe shmangie nga tatimi, raporton Drejtësia Sot.
Të akuzuar në këtë rast janë: Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani dhe Faton Orllani.
Drejtësia Sot thekson se arsyeje e anulimit të kësaj seance sipas zëdhënëses së Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti, janë angazhimet e kryetares së trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, e cila i ka njoftuar palët me kohë për mos mbajtjen e kësaj seance.
Sa i përket vazhdimit të këtij gjykimi, zëdhënësja Zhuti, konfirmoi për Drejtësia Sot, se gjykimi për këtë rast do të vazhdojë me datën 12 mars 2021, duke filluar nga ora 10:00.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur në vitin 2016, të akuzuarit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që të tretë duke vepruar si grup kriminal kanë përfituar mjete financiare në vlerë rreth 2 milion euro, përmes mashtrimit të qytetarët lidhur me shitjen e banesave.
Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të akuzuarit EstridaBunjaku, Xhemajl Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, me veprën penale “Shpërlarje e parave”.
Ndryshe sipas kësaj pike të dispozitivit, mjetet e përfituara nga aktivitetet kriminale në vlerë prej 2 milion euro, të akuzuarit kanë tentuar ti konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit ose pronësisë së pasurisë.
Ndërsa pika e tretë dhe e katërt e aktakuzës e ngarkon të akuzuarën Estrida Bunjaku edhe më dy vepra penale, atë të “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangies nga tatimi”.
Vlen të përmendet se ky rast po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova që ka cilësinë e kryetares së trupit gjykues, ndërsa gjyqtarët Sami Sharaxhiudhe Shaqë Curri janë anëtarë të trupit gjykues. Aktakuza në këtë rast përfaqësohet nga prokurorja e Prokurorisë Speciale Florije Salihu-Shamolli.
Drejtësia Sot, është duke e monitoruar në vazhdimësi rrjedhën e këtij rasti: