18 Janar 2025

Dështimet e Institucioneve të Drejtësisë në Luftën Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 13 maj - Situata në sistemin e drejtësisë në Kosovë do të vazhdojë të jetë problematike përderisa institucionet e drejtësisë në vend tolerojnë shkelje procedurale nga gjykatës e prokurorë dhe përderisa organet e hetuesisë dhe gjyqësisë dështojnë në luftën kundër korrupsionit, thuhet në raportin vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të publikuar sot nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.


Raporti i nëntë vjetor i monitorimit përfshin të gjeturat faktike në 26 gjykata të vendit nga më shumë se 500 seanca gjyqësore të monitoruara gjatë vitit 2015 në gjykatat Themelore, Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.


Raporti kryesisht fokusohet në trajtimin e veprave penale të korrupsionit duke dhënë një analizë të qartë të problemeve dhe ngecjeve në luftën kundër korrupsionit.

Në këtë drejtim BIRN dhe I/KS kanë gjetur dështime të prokurorëve në ngritjen e aktakuzave brenda afateve ligjore duke rrezikuar që raste të mëdha të korrupsionit të mbesin pa u gjykuar madje duke ‘përfituar’ edhe nga vjetërsimi i lëndëve.


Raporti merret edhe me analizimin e politikës së dënimeve të korrupsionit duke konstatuar se një pjesë e madhe e proceseve gjyqësore të korrupsionit kanë përfunduar me dënime me kusht ose gjobë.


Raporti analitik rekomandon që gjykatësit të ashpërsojnë politikat ndëshkimore dhe të shqiptohen dënime më të larta për veprat penale të korrupsionit me qëllim preventivën e korrupsionit.

“Jam krenar që tash në vitin e nëntë kemi diçka substanciale për të raportuar. Kemi ndarë edhe shembuj pozitivë në disa nga gjykatat dhe prokuroritë. Nëse është e mundur që kjo të bëhet në disa gjykata e prokurori themelore, pse të mos bëhen edhe në të tjerat”, tha Faik Ispahiu, Drejtor i Internews Kosova.


Raporti rekomandon që prokurorët të kenë përgatitje më të lartë dhe përfaqësim më efikas të aktakuzave veçanërisht në rastet e korrupsionit duke kontribuuar kështu në vendosjen e drejtësisë dhe ruajtjen e buxhetit të shtetit,


Në rekomandimet e tij raporti këshillon Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial për të krijuar një politikë të unifikuar  ndëshkimore, unifikimin e Udhëzimit Administrativ për taksat gjyqësore, respektimin e afateve ligjore për caktimin e seancave gjyqësore dhe nisjen e procedurave disiplinore për gjykatës dhe prokurorë te të cilët raporti konstaton se kanë kryer shkelje të procedurave dhe kodit të etikës.


Raporti tregon se ka vend për përmirësim në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Korniza stabile ligjore është edhe një nga parakushtet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian prandaj BE do ta mbështesë Kosovën për ta forcuar sundimin e ligjit”, tha Libor Chlad Zëvendës-Udhëheqës për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Këshilli Gjyqësor në vitin e kaluar ka hartuar në plan të veprimit i cili ka për qëllim t’i përcjellë lëndët e korrupsionit. Lëndët e korrupsionit janë bërthama e problemit brenda gjyqësorit”, tha Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.


“Prokurorët janë duke i trajtuar me prioritet rastet e larta të korrupsionit. Nuk e mohoj mundësinë që të ketë probleme në natyrës së cilësisë së prokurorëve, por ne kemi kompetenca që t’i degradojmë apo të marrim masa tjera në rast se ka vlerësime negative në performansën e tyre”, tha Blerim Isufaj, Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.


Pjesë e raportit është edhe një analizë e gjerë për problemet të cilat e kanë përcjellë  Pallatin e Drejtësisë që nga ditët e para të lëshimit të tij në përdorim vitin e kaluar.


Raporti i Monitorimit është mbështetur nga Bashkimi Evropian si pjesë e projektit (apo programit) për fuqizimin e shoqërisë civile në mbikëqyrjen e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe synon të kontribuojë në reformën demokratike të Kosovës përmes përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)