17 Maj 2024

Dëshmitarja rrëfen burgosjen e bashkëshortit nga UÇK-ja

Prishtinë, 25 nëntor - Dëshmitarja e mbrojtur “K” në procesin e grupit “Drenica 2” ka rrëfyer të hënën para trupit gjykues në Mitrovicë për torturat që ka përjetuar bashkëshorti i saj, dëshmitari “A”, në qendrën e ndalimit të UÇK-së, në fshatin Likofc.

“K”-ja i tha gjykatës se kur bashkëshorti ishte kthyer në shtëpi, kishte qenë në gjendje shumë të rëndë, brinjë të thyera, rroba të përgjakura, sy të lënduar dhe kishte qenë i ënjtur në të gjithë trupin.

“Jam habitë se si në atë gjendje ka mundur të ecë, e të vie në shtëpi”, tha “K”, që është dëshmitare e prokurorisë në rastin “Drenica 2”, në të cilin akuzohen Sylejman Selimi, Jahir Demaku, Hysni Thaqi, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku, Selman Demaj, Driton Demaj, Bashkim Demaj, Agim Demaj dhe Fadil Demaku, ngarkohen me vepër penale, krime të luftës kundër popullatës civile, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në seancën e së hënës dëshmitarja, siç e tha kryetari i trupit gjykues, Darius Silciki, jep dëshminë e saj nga një vend i largët, përmes videolinkut.

Ajo tha se ushtarët kishin uniforma lara-lara, ishin të armatosur, por shtoi se nuk ua ka vërejtur emblemat, derisa të pranishëm përveç saj ishin edhe fëmijët dhe kunati i bashkëshortit – që është dëshmitari “L” në këtë proces gjyqësor.

“Ka qenë gushti i vitit 1998, në orët e pasdites, kanë ardhur dy persona të armatosur dhe të uniformuar, i kanë thënë burrit se duhet me shku me ta, se ka me e dhënë ni deklaratë dhe se ka me u kthy prapë në shtëpi”, rrëfeu ajo.

Pasi nuk është kthyer në shtëpi bashkëshorti, dëshmitarja tha se është përpjekur të gjejë vendndodhjen e tij. “Çdo ditë kam shku, unë me djalin, por edhe kunati…, por ushtarët në burgun e Likofcit na kanë thënë se ai nuk gjendet këtu”, ka thënë dëshmitarja “K”.

Sipas saj, bashkëshorti nuk u kthye në shtëpi rreth një muaj, ndërsa kur më në fund erdhi, ishte shumë i torturuar.

Seanca vazhdoi me pyetjet që iu parashtruan dëshmitares nga avokatët mbrojtës.

E pyetur dëshmitarja tha se në Likofc ajo nuk i kishte parë Jahir Demakun dhe Sylejman Selimin, ndërsa insistoi se burrin ia kanë marrë në mesin e muajit gusht dhe e kanë mbajtur në Likofc deri nga mesi i shtatorit 1998.

Seanca gjyqësore e radhës do të mbahet më 9 dhjetor në objektet e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës. /koha/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)