Deri kur do tu mohohen të drejtat e njeriut për rastin Kumanova !
Prishtinë, 23 mars - Familjarë të të mbijetuarve shqiptarë që u arrestuan dhe tash janë duke u gjykuar për rastin Kumanova disa herë i janë drejtuar KMDLNj së duke e informuar për dhunën e vazhdueshme fizike dhe psikike që po e bëjnë autoritetet maqedonase ndaj të paraburgosurve si dhe shkeljet që po i bëjnë ndaj familjarëve duke ua mohuar të drejtën për pjesëmarrje në gjykim apo duke e kufizuar numrin e anëtarëve të familjarëve në një gjykim të deklaruar si të hapur për publikun.
Ndaj të arrestuarve për rastin Kumanova në vazhdimësi ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut të privuar nga liria të cilat garantohen dhe mbrohen me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat janë pranuar dhe ratifikuar nga shteti maqedon.
Të arrestuarve , që tani janë duke u gjykuar po u mohohet një gjykim i drejtë , i paanshëm dhe i pandikueshëm politikisht. Në rastin Kumanova po shkelet në mënyrë flagrante Konventa e Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor për persona të privuar nga liria që është vërtetuar nga Avokati i Popullit i Maqedonisë , burime të pavarura jo qeveritare , avokatët mbrojtës , familjarët dhe dëshmitë e të akuzuarve para Gjykatës, ku ata po gjykohen.
KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtij trajtimi dhe ka qenë e gatshme të monitorojë tërë procesin , që nga arrestimi e deri te përfundimi i gjykimit duke plotësuar të gjitha kërkesat e palës maqedonase mirëpo është refuzuar kjo kërkesë , pa asnjë arsyetim nga pala maqedonase. KMDLNj ka bashkëpunuar me Ambasadën e Kosovës në Maqedoni për monitorimin e gjendjes së të arrestuarve shqiptarë të rastit Kumanova mirëpo edhe mundësitë e ambasadës , përkundër përpjekjeve dhe vullnetit të treguar ka qenë e kufizuar.
KMDLNj i është drejtuar udhëheqësve të institucioneve më të larta të Kosovës me kërkesë që ata të interesohen për shtetasit e arrestuar të Kosovës dhe familjarët e të arrestuarve të cilët kanë qenë pa përkrahje të nevojshme.
KMDLNj është jashtëzakonisht e shqetësuar për shkakun se familjarët e të vrarëve të rastit Kumanova nuk e kanë dëshminë për rezultatet e autopsisë që ka kohë që kanë përfunduar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Forenzikës në Prishtinë. E drejta për informim është e drejtë elementare e njeriut dhe mos lëshimi i dëshmive për rezultatet e autopsisë është shkelje flagrante , e palejueshme dhe e dënueshme e përgjegjësve të institucionit kosovar që e kanë bërë autopsinë.
Institucionet që e kanë bërë autopsinë në Kosovë nuk është dashur ti pranojnë fare të vrarët dhe të ekzekututarit shqiptarë për rastin Kumanova pa rezultatet e autopsisë së palës maqedonase dhe , pas pranimit të këtyre rezultateve , në rast të dyshimit është dashur të bëhet autopsia nga ekspertët kosovarë. Sido që të jetë , nuk mjafton arsyetimi i palës kosovare , as për familjarët , as për opinionin e as për KMDLNj në se rezultatet e autopsisë i janë dorëzuar Prokurorisë së Shtetit duka ua mohuar familjarëve të viktimave ta kenë informatën për shkaqet dhe mënyrën e vrasjes së familjarëve të tyre aq më parë që ka dyshime të bazuara se disa të vrarë janë ekzekutuar pasi janë zënë rob apo pasi janë dorëzuar me ndërmjetësimin e OSBE së.
Është koha e fundit që Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Forenzikë tua dorëzojë rasportet e autopsisë familjarëve që kanë anëtarë të vrarë në rastin Kumanova në të kundërtën , pëveç përgjegjësisë morale do të përballen edhe me përgjegjësi ligjore. Gjithashtu , KMDLNj e ripërsëritë kërkesën që të kërkohet një ekspertizë e pavarur ndërkombëtare që do ta bëjë një superekspertizë ngase ka dyshime në raportet e autopsisë së palës maqedonase ndërsa raportet e palës kosovare nuk janë fare të ditura.
Ky hezitim lë për të dyshuar se ka kundërshtime dhe mospajtime profesionale midis dy raporteve të autopsiaë.
KMDLNj nuk ka mandat veprimi jashtë territorit të Kosovës andaj , në mungesë të lejes nga autoritetet maqedonase , si burim informimi përdorë mundësitë siç janë: informatat e familjarëve , informatat nga avokatët mbrojtës , informatat nga organizatat për të drejtat e njeriut nga Maqedonia , nga Avokati i Popullit , nga burimet e bredshme anonime dhe nga mediet.
KMDLNj kërkon prani dhe interesim mëtë madh të shtetit të Kosovës në këtë gjykim , në kuadër të asaj që e ka të lejuar sipas marrëveshjeve ndërkombëtare , si dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që kanë mandat për këtë dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.