Dërgohen në AKK dosjet e asambleistëve me konflikt interesi
Prishtinë, 26 shkurt - Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Kreshnik Ahmeti, dorëzoi sot në Agjensionin Kundër Korrupsion kërkesat për shqyrtim të konfliktit të interesit të 10 asambleistëve të Kuvendit Komunal.
Ahmeti ka theksuar se duke qenë se në bazë të Ligjit Nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sipas Nenit 4 par. 1 me nënparagrafi 1.10, në cilësinë e zyrtarëve të lartë publik janë të përfshirë edhe anëtarët e kuvendeve komunale në kuptim të këtij ligji.
\"Po ashtu, duke u mbështetur në dispozitat e Nenit 38 par. 1 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Nenin 40 të Statutit të Komunës së Prishtinës,që sanksionojnë pjesëmarrjen e anëtarëve të kuvendeve komunale në cilëndo procedurë vendimmarrëse dhe administrative në të cilat mund të paraqitet ndonjë element i konfliktit të interesit, në momentin kur lidhur me objektin e vendimmarrjes ai ose ajo, apo ndonjë anëtar i afërt i familjes së tij apo saj, ka interes personal apo material\", ka theksuar ai.
Në bazë të kësaj, Kuvendi Komunal me datën 14 janar 2015 ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme e cila është thirrur nga anëtarët e kuvendit nga radhët e subjektit politik LDK. Kjo mbledhje është thirrur me të vetmen pikë të rendit të ditës Shqyrtimi dhe vlerësimi i punës së anëtarëve të komisioneve komunale të aksionarëve të ndërmarrjeve publike..
\"Duke qenë se pikë e rendit të ditës kishte qenë diskutimi lidhur me ndërmarrjet publike dhe Komisionet Komunale të Aksionarëve, të njëjtit kanë marrë pjesë në një proces të votimit në kundërshtim me kuorumin e kërkuar me Ligjin për Vetëqeverisje lokale, Statutin e Komunës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit,të cilët në cilëndo mënyrë kishin personalisht apo për ndonjë të afërm të familjes së tyre interes personal apo material në lidhje me diskutimin dhe votimin për çështjen që ishte duke u diskutuar në këtë mbledhje.\"
Po ashtu me datën 05 shkurt 2015, Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka mbajtur seancën e rregullt në të cilën është kërkuar që të futet pikë e rendit të ditës lidhur me ndërmarrjet publike dhe zëvendësimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Aksionarëve për ndërmarrjet publike lokale, aksionet e të cilave janë në pronësi të KK Prishtinë.
\"Duke qenë të vetëdijshëm se në seancën e kaluar është kundërshtuar pjesëmarrja në procedurën e vendimmarrjes në mbledhjen e jashtëzakonshme ku merrnin pjesë anëtarët e kuvendit për të cilët ekzistonte dyshimi i bazuar se janë në konflikt të interesit me objektin e vendimmarrjes, ne kemi kërkuar nga kryesuesi i kuvendit, Halim Halimi, duke ia dorëzuar edhe me shkrim të dhënat që dëshmonin ekzistimin e konfliktit të interesit për 10 (dhjetë) anëtar të Kuvendit Komunal, ku në këtë listë ishte i përfshirë edhe vet ai. I njëjti ka refuzuar që të marrë në konsideratë shkresën që ia kemi dorëzuar, dhe kështu duke na injoruar, ai ka ndërprerë seancën ku të gjithë anëtarët e kuvendit kanë dal jashtë sallës së kuvendit\", ka thënë Ahmeti.
Pas, afërsisht dy orë më vonë, kryesuesi i kuvendit, z. Halim Halimi, i ka thirrur në mbledhje sërish vetëm një pjesë të anëtarëve të kuvendit, respektivisht vetëm anëtarët nga subjektet politike LDK dhe PDK, e që duke injoruar fare faktet lidhur me konfliktin e interesit kanë nxjerrë vendime lidhur me shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Aksionarëve.
Rastet:
1. Asambleisti Sami Hamiti gruaja e tij, Valbona Hamiti, ka qenë zyrtare e lartë (kryesore) për Financa dhe Thesar në NPL Ndërmarrja Publike Banesore . Vëllai i saj, Flamur Zeqiri, është anëtar i bordit të NP Lokale Stacioni i Autobusëve;
2. Asambleistja Vlora Dumoshi motra e saj Albionë Maloku ka qenë kryesuese e bordit të BP Lokale Trafiku Urban
3. Asambleisti Abit Kastrati kompania e tij N.T.P. Ajroni Com, ka lidhur dy kontrata në vitin 2014 me KRM Pastrimi;
4. Asambleisti Agim Gashi motra e tij është e punësuar në ndërmarrjen Hortikultura;
5. Asambleistja Merita Surkishi është punëtore e KRM Pastrimi;
6. Kryesuesi i Kuvendit, Halim Halimi vajza e tij është e punësuar në NP Ndërmarrja Publike Banesore;
7. Asambleisti Flamur Shala vëllai i tij, Afrim Shala, ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve në ndërmarrjen Hortikultura;
8. Asambleistja Ajnishahe Azemi djali i saj, Ilir Azem, ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve në NPL Ndërmarrja Publike Banesora;
9. Asambleisti Shaip Hajrizi djali i tij, Drilon Hajrizi, është i punësuar në ndërmarrjen Hortikultura;
10. Asambleisti Blerand Stavileci është Ministër i Zhvillimit Ekonomik, rrjedhimisht mbikëqyrës i drejtpërdrejt i ndërmarrjeve publike qendrore dhe lokale/