Deputetët: T i japet fund agonisë që ka kapluar Veriun
Prishtinë, 25 nëntor - Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës fuqishëm dënon aktin e fundit të dhunës në fshatin Rudare, ku u lënduan 21 pjesëtarë të KFOR-it, si dhe shpërthimin e fundit në Mitrovicë.
Konsiderojmë se aktet e dhunës ndaj çdokujt dhe aq më shumë ndaj forcave të KFOR-it janë goditje për të ardhmen e qytetarëve të gjitha etnive të Kosovës si dhe sulm ndaj NATO-s dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, theksoi kryetari i Komisionit, Ahmet Isufi në emër të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, në prononcimin për media, lidhur me ngjarjet e fundit në Veri të Mitrovicës.
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës konsideron se katër muajt e kaluar kanë mjaftuar për të gjithë mekanizmat e sigurisë që të identifikojnë aktorët e veprimeve kriminale, metodat me të cilat janë shërbyer ata, por njëkohësisht edhe prezencën e drejtpërdrejtë të instrumenteve të shtetit serb i cili po bën agresion në territorin e Kosovës.
Komisioni kërkon nga Qeveria e Kosovës, KFOR-i, EULEX-i dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë që t i japin fund agonisë që ka kapluar Veriun e Kosovës dhe të vendoset rendi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, kërkon posaçërisht nga Qeveria e Kosovës që të ndërpres retorikën e përditshme dhe të përballet seriozisht me krizën në vend përmes veprimeve konkrete institucionale.