Denoncon dhëndrin për rrahjen e vajzës
Podujevë, 3 shtator - Në Podujevë, ankuesi mashkull shqiptar ka raportuar se, vajza e tij është viktimë e dhunës në familjen e bashkëshortit pasi që ajo ka mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj.
"Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë takuar çiftin, të cilët kishin pësuar lëndime gjatë përleshjes në mes veti, i kanë dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Podujevë", njofton policia.
Të njëjtit, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe pastaj me urdhër të prokurorit janë liruar. "E dyshuara ka shkuar te prindërit e saj. Rasti është duke u hetuar", njofton policia.
Ndërsa në një rast tjetër në Drenas është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar pasi që, dyshohet se i njëjti për çështje pronësore është përleshur fizikisht me vëllain e tij dhe bashkëshorten e viktimës.
"Si pasojë, lëndime kanë pësuar viktimat dhe i dyshuari. I dyshuari pas tretmanit mjekësor në QKMF-Drenas është liruar, ndërsa viktimat janë dërguar në QKUK", njofton policia.
Njësitet policore gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre kanë gjetur dhe konfiskuar edhe një pushkë gjuetie e e cila dyshohet se kanë në pronësi të dyshuarit, por nuk është përdorur. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.