Dënohet tentativa për djegien e një shtëpie shqiptare në veri
Mitrovicë, 12 prill - Tentimi për djegien e një shtëpie që është duke u rindërtuar në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës ka zgjuar reagimin e zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës.
Ata vlerësojnë se këto janë akte kriminale që zakonisht kryhen nga strukturat ilegale serbe.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, duke dënuar këtë rast, ku disa persona të panjohur kanë tentuar të djegin shtëpinë e Sinan Behramit në Kroin e Vitakut, tha se kjo nuk është hera e parë që një rast i tillë ndodh në veri.
Strukturat ilegale dhe kriminale serbe në veri zakonisht kanë tentuar që të pengojnë procesin e rindërtimit dhe kthimit të të zhvendosurve në veri.
Bala tha se strukturat e sigurisë duhet të jenë shumë aktive dhe të vendosura që ti luftojnë këto akte të këtyre grupeve kriminale që janë kundër normalizimit dhe jetës së lirë në këtë pjesë të vendit.