Dënohet sulmi ndaj një të riu shqiptar në veri

Mitrovicë, 19 shkurt - Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur të shtunën mbrëma në veri të qytetit ndaj një të riu shqiptar, të cilit i janë shkaktuar lëndime të rënda.
Nga autoritet e sigurisë kërkohet që të identifikojnë dhe arrestojnë, tre personat, të cilët të maskuar e kanë sulmuar të riun me shufra hekuri.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se sulmet ndaj qytetarëve shqiptarë në veri janë vazhdë e përpjekjeve të strukturave ilegale serbe për të frikësuar popullatën shqiptare atje.
Është një përpjekje e vazhdueshme për të frikësuar shqiptarët që jetojnë në veri, në mënyrë që ata të largohen prej pronave të veta.
Ai kërkoi nga autoritetet e rendit që të identifikojnë këta persona dhe të marrin masa ndaj tyre.
Autoritetet e rendit duhet të jenë shumë të vendosura në mënyrë që të mos të lejojnë grupe të tilla kriminale që të veprojnë lirshëm.