Dënohet i akuzuari R.H
Prishtinë, 18 shtator - Dje një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarës R. H. në kohëzgjatje prej 5 vjetëve burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 Euro.
Gjykata gjeti se e akuzuara R. H., shqiptare, shtetase e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Gjilan, ka kryer veprën penale, trafikim me njerëz nga neni 171 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pasi që e njëjta me datë 14 prill 2014 deri më datë 28 prill 2014, një person të gjinisë femërore rekruton, transporton, strehon dhe me anë të kanosjes e detyron të kryej marrëdhënie seksuale me një person të gjinisë mashkullore, në një hotel në Durrës të Shqipërisë thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Afrim Shala, gjatë shpalljes së aktgjykimit ka thënë se ndaj të akuzuarës R. H. vazhdohet paraburgimi derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim.
Gjithashtu të akuzuarës ka për të ju llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe në paraburgim.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Gjykata Themelore e Gjilanit është themeluar më 1 janar 2013, në pajtim me Ligjin për Gjykatat, si gjykatë e shkallës së parë për komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Juridiksioni i Gjykatës Themelore mbulon të gjitha çështjet, përfshirë ato penale, civile, ekonomike, administrative dhe rastet me të mitur.