Dënohen sulmet mbi varrezat ortodokse në Kllokot dhe në Prizren
Prishtinë, 21 janar - Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dënuar aktin e dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kllokot duke e cilësuar si një vepër të papranueshme dhe të patolerueshme.
Dëmtimi i varrezave është në kundërshtim me vlerat e shoqërisë në Kosovë dhe me traditën e tolerancës dhe të respektit ndërmjet njerëzve, religjioneve dhe kulturave të ndryshme.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve të hetuesisë që të gjejnë dhe kapin autorët e këtij akti vandal dhe ti vënë ata përpara drejtësisë.
Edhe Ministria për Komunitete dhe Kthim kërkon nga organet kompetente në Kosovë, para së gjithash nga Policia e Kosovës dhe shërbimi i KFOR-it, që të bëjnë gjithçka që është në kompetencat dhe përgjegjësit e tyre që të parandalojnë konfliktin ndër-etnik dhe sulmet në jetën dhe pronën e qytetarëve.
Ministria për Komunitete dhe Kthim dënon ashpër rrënimin e përmendoreve të varrezave në Kllokot dhe kërkon reagimin e shpejtë dhe efikas të shërbimeve kompetente në mënyrë që bërësit e kësaj vepre të vihen para drejtësisë. Kjo është mënyra e vetme që të ndalen të gjithë ata që mendojnë se kështu mund të zgjidhet çfarëdo problemi.
Ministria për Komunitete dhe Kthim apelon tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe i përkujton se e vetmja ardhmëri e sigurt është bashkëjetesa, respektimi i ndërsjellë dhe pranimi i vlerave evropiane.
Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përcjellë indinjatën e thellë ndaj vandalizmit të ushtruar kundrejt varrezave ortodokse në Kllokot të Vitisë dhe në Prizren.
AAK i konsideron këto akte si të rënda, të papranueshme dhe me tendencë të prishjes së imazhit të Kosovës dhe dëmtimit të proceseve nëpër të cilat po kalojmë.
AAK fton qytetarët e Kosovës që të tregohen të përmbajtur ndaj këtyre zhvillimeve dhe që të kenë besim të plotë në tejkalimin e situatës, kurse mekanizmat e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë i fton që sa më parë ti identifikojnë dhe tua japin dënimin e merituar atyre që i kryen këto akte qëllmkëqija për vendin dhe qytetarët tanë.