Demolli priti në takim deputetët e Grupit parlamentar gjashtë plus
Prishtinë, 2 qershor - Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli së bashku me zëvendës ministrin Fadil Gashi dhe Komandantin e Forcë së Sigurisë, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në ministri, deputetët nga Grupi parlamentar gjashtë plus të Kuvendit të Kosovës të prirë nga deputetja Mufera Ainik, shefe e këtij Grupi parlamentar.
Fillimisht, ministri Haki Demollli i njoftoj deputetet e grupit parlamentar gjashtë plus me misionin, detyrat, aktivitetet dhe planet e Ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces. Me këtë rast Ministri Demolli tha se Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës i kanë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e rekomandimeve të dala nga Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë së Kosovës(RSSS) që i kanë takuar Ministrisë sonë, dhe se MFSK dhe FSK janë të gatshme për të filluar në implementimin, gjegjësisht transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK).
Ministri Demolli më tutje, i njoftoi deputetet në tërësi për procesin e planifikimit të misionit, strukturës, trajnimit, buxhetit, infrastrukturës, pajisjeve si dhe mbi transparencën e plotë gjatë këtij procesi me institucionet me të larta të shtetit si dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtare. Ministri i FSK-së tha se i tërë procesi i planifikimit dhe përgatitjes është zhvilluar në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Ekipin Këshillues të NATO-s(NAT) për Ministrinë e FSK-së, Ekipin Ndërlidhës këshillues të NATO-s për FSK-në(NLAT) si dhe me organizatën e specializuar për rishikime të sektorit të sigurisë DIR nga Shtetet e bashkuara të Amerikës(ShBA).
Ministri i FSK-së, Haki Demolli u shpreh gjithashtu se Ministria për FSK-në dhe FSK-ja me arsye pret që të gjithë deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, si të zgjedhur të popullit, me votën e tyre, ti hapin rrugë transformimit të FSK-së në FAK e gjithashtu ti hapin rrugë zhvillimit të saj si dhe integrimit në strukturat e Euro- Atlantike.
Ministri Demolli tha se ashtu si edhe FSK-ja edhe FAK sipas planifikimit do të jetë një forcë profesionale, multientike, me përfaqësim gjinor pa kuota si dhe e gatshme të shërbej pë vendin dhe tu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Ndërsa, shefja e Grupit parlamentar 6+, zonja Mufera Ainik( nga radhët e komunitetit turk) u shpreh mirënjohëse për iniciativën për takim, si dhe për transparencën e plotë të udhëheqësve të Ministrisë dhe FSK-së për procesin. Ajo u shpreh se Grupi parlamentar 6 + i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë i gatshëm dhe do ta shtyjë përpara agjendën e zhvillimit të institucioneve vitale të shtetit drejt avancimit, zhvillimit dhe integrimit Euro -Atlantik.
Gjithashtu, edhe deputet tjerë si zonja Duda Balje, Danush Ademi dhe Kujtim Paqaku nga rradhët e komunitetit boshnjak, ashkali dhe rom, deklaruan se procesin e transformimit të FSK-së në FAK e shohin si progres dhe domosdoshmëri e ndërtimit, zhvillimit dhe funksionalizimit të institucioneve vitale të shtetit të pavarur pra Republikës së Kosovës.
Në takim, gjithashtu u bisedua edhe për pozitën e minoritarëve në FSK, perspektiven si dhe nevojën për koordinim të përfaqësuesve të minoriteteve në sensibilizimin dhe informimin e sa më shumë të rinjve nga radhët e komuniteteve për të konkurruar, nënshtruar kritereve të përzgjedhjes sipas standardeve të FSK-së, e që janë edhe standarde të NATO-s, në mënyrë që të gjithë bashkë të ndërtojmë një institucion i cili do ti shërbej vendit dhe interesave të qytetarëve të saj pa dallim.