Delawie konfirmon mbështetjen dhe përkrahjen për Policinë e Kosovës
Prishtinë, 27 janar - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shpend Maxhuni sot priti në një takim Ambasadorin Amerikan Greg Delawie, si dhe zyrtarët nga misioni i ICITAP, Bill Bochtere dhe Ron Fisher.
Në takimin e mbajtur u diskutua për situatën aktuale në vendin tonë si dhe ngjarjet dhe protestat e kaluara.
Ambasadori Delawie shprehu impresionimin e tij me qasjen e Policisë së Kosovës në menaxhimin e protestave dhe vlerësojë shumë lartë qasjen profesionale dhe dedikimin e Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve të saj.
Temë e diskutimit në këtë takim përveç tjerash ishte edhe lufta kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, mbështetja dhe bashkëpunimi i pa kursyer nga Ambasada Amerikane në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve kibernetike. Në këtë kuadër u potencua ngritja e kapaciteteve në disa fusha të caktuara.
Gjithashtu gjatë takimit u potencua edhe qasja profesionale e PK-së në disa raste me qytetarët amerikan që kanë qëndruar në vendin tonë dhe besimi që është shprehur për PK-në në zgjidhjen e rasteve të caktuara dhe për këtë ambasadori shprehu mirënjohjen e tyre.
Ambasadori Delawie edhe njëherë konfirmoj mbështetjen dhe përkrahjen për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet në rrugën e saj për ofrimin e sigurisë dhe rendit për të gjithë qytetarët e saj, dhe vlerësimin se Policia e Kosovës është njëra ndër policit me profesionale në rajon.
Njëkohësisht Drejtori i Përgjithshëm z.Maxhuni e falënderoj Ambasadorin Delawie për përkrahjen e vazhdueshme që po jep Ambasada Amerikane në Prishtinë për Policin e Kosovës.