Deçani me më së shumti aplikantë për statusin e veteranit
Prishtinë, 3 prill - Komuna e Deçanit dhe ajo e Besianës prijnë sa i përket aplikimit për njohje të statusit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Listat përfundimtare mbi pranimin e aplikacioneve, sipas degëve për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së që i ka siguruar Epoka e re, tregojnë se 4 mijë e 800 persona kanë kërkuar statusin e veteranit vetëm në komunën e Deçanit, ndërsa në atë të Besianës 4 mijë e 517.
Pastaj vijnë Peja me 3 mijë e 767 aplikantë, Skenderaj me 3 mijë e 713, Prishtina me 3 mijë e 502, Drenasi me 3 mijë e 491, Gjakova me 3 mijë e 40 dhe Novobërda 44.
Një gjë tjetër që bie në sy në këto lista është se nga Zyra Politike e UÇK-së në Prishtinë, të cilën e ka drejtuar veprimtari Adem Demaçi kanë aplikuar 63 persona, ndërsa nga Fondi Vendlindja thërret, 91 persona.
Komisioni qeveritar për njohjen e verifikimit të statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së ka pranuar edhe një numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë ardhur nga diaspora.
Udhëheqësi i sekretariatit të këtij komisioni shtetërore për verifikimin e këtyre kategorive, Faik Fazliu ka thënë për gazetën se tani do të fillojë faza kryesore e këtij procesi, e verifikimit.